
Kryeministri Edi Rama ka folur në sallën e Kuvendit për zgjedhjen e Donald Trump si president i SHBA, duke mos u tërhequr nga deklaratat e bëra dhe duke i shtuar edhe disa të tjera.
Edi Rama duket se “ngatërron” miqësinë dhe mirënjohjen e shqiptarëve ndaj SHBA-së për atë që ata kanë bërë për kombin shqiptar në këto 100 vjet. Respektin dhe mirënjohjen ndaj SHBA kryeministri shqiptar e quan jargavitje.
Lexojeni vetë se çfarë thotë:
Këta e kanë marrë kokën time dje dhe e kanë servisur në tepsi.
Këta karanxhollë, kjo tufë, këta njerëz që nuk janë as në nivelin e berberëve të Stambollit, siç e përshkruan dhe Faik Konica tek “Shqipëria si m’u duk”, janë po ata që Fan Noli i quante gjithherësh “bejlurçina, patetikë, komikë”…se këta nuk kanë ndryshuar në rrugën e tyre dhe jargavitjen e tyre ndaj të fortit.
Unë, sa kohë do të jem, do të jem ky që jam dhe nuk do të udhëhiqem në veprën time nga asgjë tjetër përveç nderit dhe dinjitetit të Shqipërisë që sot kam nderin dhe privilegjin të përfaqësoj. Ky shtet që mund të jetë i varfër, por jo në gjunjë. Mund të jetë shumë pas të tjerëve, por jo për të thënë atë që duhet.
Nga gjithë kjo furtunë në gotën e rakisë së kafes së madhe të kësaj politike karanxhollësh do të mbetet vetëm fytyra levantine e kanibalit në dramën shekspiriane me atë sjelljen zvarranike ndaj të madhit: “Mos ke rënë nga qielli? Lërmë të jem skllavi yt…”
Si ta kuptojmë deklaratën e kryeministrit Edi Rama pasi ishte po i njëjti Ramë që për ti vjedhur një foto Presidentit, Barack Obama pranoi të bëhej edhe shoqëruesja e një taksisti në USA, shoqëruesja e Bilalit. Dhe sot që amerikanet kanë zgjedhur për President Donald Trump, Edi Rama paralajmëron qeverinë e re të SHBA-së se nuk jargavitem ndaj jush, ju kujton gjerat e drejta që paska thënë për udhëheqësin e tyre të ri…
Është çmendur!??? E ka nga gjyqi që po zhvillohet këto dite në SHBA kundër Bilalit, nga fitorja e Trump apo vërtet ka vendosur ti kthehet dinjitetit. Por pyetja tjetër është: Kë quan mungesë dinjiteti Edi Rama, mirënjohjen e shqiptarëve ndaj SHBA?
Andi Bushati e këshillonte sot që të paktën të heshte. Ne po i themi: Fol. Fol sa më shumë që të dalësh ashtu siç dhe je. Që as edhe Zoti që ti i luteshe aq shumë që ta pengonte Donald Trump drejt presidencës mos të të ndihmoje dot.
Ky vend pas vitit 1990 ka pasur kryeministra me më dinjitet dhe me më shumë namuz se ju, por në momentin që ndaj tyre ka pasur hije dyshimi për karshillëk ndaj SHBA-ve, populli i ka ndëshkuar. Nuk është jargavitje zoti kryeminister, është mirënjohje dhe çfarë është më kryesorja është nevoja që ne kemi për Uashingtonin. Pa ta nuk kemi ekzistuar. Pa ty po. Ndoshta dhe me më dinjitet.
