
Deputeti me origjinë çame, Tahir Muhedini, ka rrëfyer për herë të parë, historinë tragjike të familjes së tij dhe fisit të tij në Çamëri. Ai u tha në fjalimin e fundit në Kuvend, kolegëve deputetë, se do të shkonte t’u vendoste gjyshërve të tyre, një tufë me lule në varre për t’iu kujtuar atyre se ai vetë nuk e ka një varr të gjyshërve të vet dhe sensibilizuar për Çështjen Çame. Ja çfarë tregon Tahir Muhedini për Gazeta Shqiptare:
“Është e vërtetë që nuk e kam përmendur asnjëherë masakrën e 27 qershorit të ‘44-ës, pavarësisht se kam vite që merrem me politikë. Dosjen e plotë ua kam dërguar kancelarive perëndimore. Unë vetë kam lindur në Tiranë, nga një familje me shumë pak anëtarë, sepse 28 prej tyre u therën në një ditë, në 27 qershor 1944. Nga familja e nënës sime kishte me dhjetëra të masakruar. Kam lindur në Tiranë dhe nuk kam arritur të vendos kurrë një tufë me lule në varret e të parëve të mi. 27 qershori ka ndodhur në shtëpinë e Sali Hafuz Muhedinit. Unë jam nipi i Sali Muhedinit. Ai ishte gjyshi im. Grekët e vranë në Çamëri se ishin shqiptarë, siç mund të ishin vrarë gjyshërit e çdo shqiptari po të kishin lindur në Çamëri. Këta njerëz u vranë se ishin shqiptarë dhe nuk e mohonin kombin e tyre.
E vërteta e familjes sime vjen nga gjyshi im, Sali Hafuz Muhedini, i cili ishte kryetar i këshillit të rrethit Paramithi, kryeqendër e Çamërisë. Gjyshi kishte katër djem dhe një vajzë. Familja kishte shumë prona dhe ishte në gjendje të mirë ekonomike derisa ndodhi tragjedia e 27 qershorit të vitit 1944.
Në gjithë zonën e Çamërisë ka pasur një klimë shumë të mirë. Në atë kohë, bëhet fjalë për vitin ‘44, kur u vendos ligji i luftës, e gjithë popullsia çame kishte shtetësi greke dhe kombësi shqiptare. Greku i mori djemtë çamë dhe i internoi në një zonë të largët nga Çamëria, diku në kufi me Turqinë. Kur ndodhi lufta greko-gjermane, njëri nga oficerët gjermanë shkoi në Çamëri dhe pa vetëm gra. Gjermanit i thanë që burrat janë të internuar.
Aty ndodhej edhe një shqiptar nga Përmeti, Qemal Frashëri, që dinte gjermanisht, dhe fatmirësisht ai i tregoi si i kishin çuar në internim. Pas kësaj ata i kthyen djemtë dhe burrat në Çamëri.
Por në vitin ‘43 u vranë 5 ushtarë gjermanë afër Paramithi, dhe ata për 5 ushtarët e tyre vranë 50 veta. Akuzonin se i kishin vrarë çamët. Arriti të shpëtonte vetëm një shqiptar.
Kur iku gjermani në qershor të ‘44-ës, kryepeshkopi grek vjen gjoja për të bërë paqe dhe kërkonte të bisedonte me gjyshin tim. Babai im, Abdullahu, që ishte vetëm 25 vjeç, atë ditë ishte në Janinë, ndërkohë që xhaxhai i vogël sapo ishte martuar dhe kishte mundur të fshihej kur ndodhi masakra. Gjithë të tjerët, plot 28 veta, i morën dhe i therën, fëmijët i dogjën të gjallë. Drejt kufirit u nis babai im; xhaxhai u nis në drejtim tjetër, por mundën të takoheshin vetëm në Berat, dhe më pas erdhën në Tiranë e u vendosën në rrugën “Ali Demi”. Ndërkohë, edhe halla ime kishte tentuar të kalonte kufirin në Konispol, por shtatzënë për herë të katërt ajo nuk mundi të jetonte dhe vdiq në rrugë.