Donald Lu çkemi lal?
E ke dëgjuar kohët e fundit atë shprehjen humor portokallie lal? Me siguri do ta kesh dëgjuar se e përdor shumë Joleza kur do t’u përgjigjet atyre që i shajnë veprën filozofike.
Të drejtë ka , është mëkat të përbuzësh filozofinë vlla.
Dëgjo vlla, ne duam t’i bëjmë një rikonstruksion emisionit Portokalli dhe unë si drejtor i këtij programacioni dua t’iu bëj një ftesë.
Më ka pëlqyer shumë batuta juaj në lidhje me orët e gjyqtarëve të cilat janë më të shtrenjta se makina e rojes së Edi Ramës.
Dëgjo, njerëzit po priren drejt humorit anglez vlla, duan humor si ai i joti që e ke mësuar kur ke ardhur këtu në Shqipëri, humor intelektual re vlla.
Kshu që duam që të na dalësh në disa puntata rresht që të na ngresh punën. Ti zgjidhe vet se me kë do të dalësh, me kë ndihesh ti rehat nga aktorët e Portokallisë. Mund të vish të bësh një provë dhe zgjidhe partnerin gjatë provave.
Ne kemi mbresat më të mira për ty se mbetëm gojëhapur kur na erdhe për Vitin e Ri në shfaqje duke i mbajtur ison Gjinit tonë. Vlerësoje ofertën tonë se me thënë të drejtën, kishe lezet kur ishe pranë Gjinit, se pranë asaj Nulandit stonoje njëçik.
Dëgjo vlla, të kemi gjetur edhe personazhin që do bësh. Do bësh rolin e gjykatësit Shyqyri Çobo. Kemi bërë dhe skenarin për ta interpretuar Shyqon për 3 puntata vlla.
Që të futesh në rol duhet të bësh ca prova. Na lehtëson shumë punën fakti që di të lexosh shqip. Kemi marrë ato sms-të e gjyqtarit Çobo dhe t’i kemi printuar në letër që t’i mësosh përmendësh dhe të jesh gati për rol që më datën 21 Korrik.
Ne sivjet do e fillojmë sezonin që më datën 21 korrik vlla, se nuk e përmbajmë dot vrullin po na erdhe dhe ti në staf.
Mos nguro Donald, eja në Portokalli dhe qaje rolin e Shyqos, populli ynë ka vërtetë nevojë të buzëqeshë.
Me respekt, drejtori i Portokallisë
