Nga Artan Hoxha

Demokratet dolën, në kohen e duhur, me një projekt të tyrin për ndryshimet kushtetese lidhur me Reformën në Drejtësi.

Projekti demokrat nuk e fillon çështjen nga e para sic pretenduan Rilindësit, por përmes thjeshtësisë, u jep zgjidhje kokolepsjeve të qëllimshme në modelin organizativ të Drejtësisë Rilindëse si dhe, përmes balancës politike në votimet e Kuvendit shmang kontrollin e njëanshem politik të drejtësise nga çdo mazhorancë e radhës, përfshirë aktualen.

Modeli i Drejtësisë Rilindëse, ndonëse u ndryshua dy herë për shkak të kritikave të rrepta të Komisionit të Venecias,  mbijetoi si koncept e strukture edhe në projektin e tretë paraqitur si produkt i dy ekspertëve te huaj në maj 2016, projekt qe e sugjeroi ne mirebesim, pa e lexuar vetë më pare, ambasadori amerikan, ndonëse të tjerët i keshilloi ta lexojnë me kujdes.

Të detyruar të ruanin konceptin dhe strukturën rilindëse, varianti i propozuar nga dy ekspertët e huaj ndërsa nuk eliminonte konfliktet  e kompetencave arrinte në absurd me ekzagjerimin e përdorimit të shortit si zëvendësues i vendimmarrjes në Kuvend dhe institucione të tjera. Ky projekt e humbi besueshmërinë edhe për shkak të futjes klandestine të nenit të famshëm 25 për ish-ministrat që dilnin jashtë kompetencës së Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme.

Ne fakt, problemet e shumta edhe të të dy modeleve rilindëse dhe të këtij të tretit nuk mund të zgjidhen pa ndryshuar thellësisht, gjerësisht e thelbësisht konceptin dhe strukturën.

Mbivendosja e koklavitur e konfliktuale e kompetencave inspektuese e vlerësuese disiplinore mes Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD), Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Tribunalit Disiplinor të Drejtësisë (TDD), skemë që shkaktonte ose forcimin e tarafit ose paqeverisshmëri të sistemit, eliminohet nga projekti i thjeshtë demokrat.

Projekti demokrat ndryshon kompetencat e ILD, kompaktëson natyrshëm kompetencat inspektuese me ato vlerësuese, emëruese dhe ndëshkuese të KLGJ dhe KLP, eliminon TDD, rolin e të cilit ia kalon arsyeshëm Gjykates Kushtetuese (GjK) si i vetmi institucion që, duke qenë jashtë sistemit të gjykatave, funksionon pa asnjë konflikt kompetencash si instance apelimi për procesin disiplinor.

Komisioni i Venecias dha disa formula për zgjidhjen e çështjeve të pastra politike. Dy ekspertët e huaj por edhe përfaqesuesit politikë të ndërkombëtarëve nuk janë përzier dhe ia lanë palëve politike shqiptare gjetjen e dakordësisë për këto çështje.

Rilindësit nuk kanë bërë asnjë hap në këtë drejtim e nuk ka dhënë asnjë shenjë se kanë ndërmend të tunden nga përdorimi i 3/5-tës së votave në Kuvend ndërsa LSI-stët thonë fraza dykuptimëshe.

Në këto rrethana, Demokratët përzgjodhën një nga formulat veneciane për kompozimin e KLGJ dhe KLP. Kështu, nga pesë anëtarët jo-gjyqtarë të KLGJ, dy përzgjidhen nga mazhoranca, dy nga opozita ndërsa i pesti perzgjidhet me 3/5-tat e votave nga lista e kandidatëve të renditur nga GjK. Po kështu edhe pesë anetarët jo-prokurorë të KLP.

Demokratët propozojnë gjithashtu që: Prokurori i Pergjithshëm të përzgjidhet me 3/5-tat e votave të Kuvendit nga lista e kandidatëve të renditur nga KLD; tre anëtarët e GjK që i takojnë Kuvendit të përzgjidhen me 3/5-tat e votave nga lista e kandidatëve të renditur nga vetë GjK.

Për të evituar çdo rrezik kapjeje të njëanshme të pushtetit gjyqësor, në nxitim e sipër  gjatë periudhës tranzitore, demokratët propozojnë, që nga monenti i hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese deri me 1 shtator 2017, pra deri në fillimin e punës së Kuvendit të ardhshëm,  votimet e mësipërme, vetëm në rast nevoje dhe pa mbarim artificialisht të parakohshëm të mandateve ekzistuese, të bëhen vetëm me 2/3-tat e votave të të gjithë deputetëve.

Skema e thjeshtë organizative e propozuar nga Demokratët, kombinuar me skemën e balancuar të përzgjedhjes nga Kuvendi hedh në kosh Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED), krijuar ex-ufficio si organizëm okult në modelin rilindës, mbetur si organizëm absurd në variantin e dy ekspertëve të huaj. Edhe absurdi i krijimit të dy gjykatave të larta eliminohet në propozimin demokrat.

Demokratët propozojnë një zgjidhje inteligjente për procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetting). Demokratët propozojnë që vetting i GjK, KLD, KLP, ILD, të bëhet i pari në radhë dhe vetëm nga ndërkombëtarët. Paskëtaj, këto katër institucione, të ngritura për së pari e për së mbari, ushtrojnë të gjitha kompetencat përfshirë vetting mbi gjithë gjykatësit e prokurorët e tjerë të të gjitha instancave.

Skema  demokrate e vetting funksionon thjeshtë e shpejt, eviton diskutimet e pafund se kush do të perzgjedhë komisionerët e vetting si dhe eviton konkurrencën disa vjeçare të dy sistemeve paralele vlerësuese e ndëshkuese, atë të përhershëm dhe atë të përkohshëm të vetting, që përbën ose absurdin ose hilenë më të madhe të skemës rilindëse për vënien nën kontroll të njëanshëm e afatgjatë të Drejtësisë, mbetur e këtillë edhe në draftin me të fundit të dy ekspertëve të huaj, ndonëse e dobësuar disi.

Projekti demokrat propozon mjaft përmirësime të tjera teknike, jep në çdo rast mekanizmin zhbllokues kur votimet në institucionet përkatëse nuk arrijnë të japin rezultat si dhe eviton vakumet dhe/ose mbivendosjet e kompetencave institucionale gjatë fazës tranzitore të kalimit nga struktura e sotme në strukturën e re. Projekti është një transplantim i suksesshëm, koherent e kompakt, i vërejtjeve dhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Në rrethanat e dhëna, kur puna s’mund të nisë nga e para, projekti demokrat është optimal.

Me këtë projekt si dhe me propozimet që kanë dhënë për Gjykatën, Prokurorinë dhe Njësinë Hetimore Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Demokratët treguan edhe kapacitetet e larta teknike që kanë në çështjet kushtetuese edhe gatishmërinë për një reforme të duhur të drejtësisë.

Cilido që, me apo pa lexim, do të ishte kundër thelbit të propozimeve demokrate e do të vijonte në favor të modeleve pararendëse, modele që do të na jepnin një drejtësi tërësisht të kapur njëanshmërisht e të çimentuar si të këtillë për një kohë të gjatë, është ose Idiot që s’di se ç’e pret nga një drejtësi e këtillë ose Rilindës që e di mirë se ç’don të arrijë.

/Shkruar për SYRI.net/