Kategori
Uncategorized

Dritan Hila: Kryetari i Tiranës që përçan Shqipërinë!

Të gjithë kundër Veliajt! Dritan Hila: Kryetari i Tiranës që përçan Shqipërinë!
Nga Dritan Hila…
Në prezantimin e vizionit urbanistik të Tiranës, Erjon Veliaj bëri edhe një provokim me ngjyra segregacioni krahinor:
“Vizitorët erdhën në Tiranë, pyetën njerëzit ku është Liqeni, dhe më pas pyetën ku është trageti….”, tha Veliaj. Një ditë përpara, kishte sulmuar protestuesit duke i cilësuar “ose budallenj, ose pa fëmijë”.
Nuk dihet pse është e nevojshme kjo gjuhë fyese dhe provokative e përditshme dhe këmbëngulëse e kryetarit të bashkisë i cili megjithëse nuk ka fëmijë, do të bëjë një park, dhe nuk arrin të kuptojë pse ata që kanë fëmijë nuk duan që ajo copë tokë të betonohet. Nuk dihet a do ti vinte mirë atij nëse protestuesit që ai i quan “budallenj”, ti drejtoheshin me ndonjë epitet të pakëndshëm. Por përshkallëzimi i fundit në leksikun e tij është i rrezikshëm nga pikëpamja politike.
Së pari gjuha e forcës që përdor, është me kosto për koalicionin qeverisës. Nëse kundërshtarët e tij vendosin ta përshkallëzojnë reaksionin e tyre, duke shfrytëzuar edhe fjalorin përbuzës të Veliaj, mund të tensionojnë situatën në Tiranë, dhe më tej. Një opozitë pa kauza, mund ta kapë këtë lajthitje të tij, i cili është edhe eksponent i lartë i PS. Kur konflikti politik të përshkallëzohet, përshkallëzimin sigurisht nuk do ta përballojë Veliaj, por policët që do të hanë në shpinë gurët dhe hunjtë e opozitës.
Së dyti, protestuesit nuk ka pse të ishin nga rrethet. Ata të së dielës ishin tiranas. Të së hënës, ka mundësi një pjesë e tyre ishin nga Kamza. Është lagje organike e Tiranës tashmë, e cila u la jashtë ndarjes së re territoriale, pikërisht se rrezikonte fitoren e Veliaj. Por është me gjithë të drejtat e saj pjesë e kryeqytetit. Një kryetar “çun tirone”, përpara se të shkonte në sharje dhe konfrontim me shtresa të popullsisë, duhet të hapte dialogun dhe dëgjonte zërin e të interesuarve.
Së treti, kryeqyteti i këtij vendi, është i të gjithëve. Ka njohur valë migracioni të brendshëm që në fillim të shekullit të shkuar. Në fillim të dibranëve, pastaj me valë kryesisht nga krahina nga ishte prejardhja e sundimtarit të radhës të Tiranës, dhe së fundmi në këto 25 vjet, nga gjithë rrethet e Shqipërisë. Pa kontributin e tyre, kryeqyteti nuk do të kishte njohur këtë bum zhvillimi, i ardhur kryesisht nga puna e tyre e papaguar. Të jesh i varfër, të punosh në ndërtim apo të shesësh fiq, është një punë e ndershme. Të merresh me politikë është e ligjshme. Të kesh punuar për bukën e gojës, të kesh arritur pozicion të lartë në politikë dhe të tallesh me ata që kanë pasur më pak fat se ty, kjo është sjellje parvenuje.
Kjo sjellje është kosto politike. Hapja e vendit ndaj emigracionit të brendshëm, ka sjellë edhe tensione të kuptueshme mes njerëzve nga krahina të ndryshme të vendit e pasqyruar edhe në politikë. Por ta përdorësh haptas, të tallesh me varfërinë e tyre, aq më shumë nga një përfaqësues i lartë i Partisë Socialiste, parti e cila votohet në jug e në veri, kjo është e pafalshme. Të bësh pastaj ironi, se të ardhurit pyetën “ku është trageti?”, është tregues i parajsës që ke krijuar mbi tokë kur ke qenë ministër i punëve sociale, nga e cila njerëzit duan t’ia mbathin një orë e më parë.
Nëse ka ndonjë këshilltar, duhet t’i thotë që të flasë më pak. Kur flet më shumë sesa ia del të mendosh, është e mira .

Lini një koment