Ky ministër, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, qëndron më shumë në ajër se sa në tokë. Gazeta SOT do të publikojë në ditët në vijim dokumente rreth udhëtimeve të shtrenjta të këtij ministri, disa herë në muaj. Ndaj dhe pasuria e tij nuk mund të ishte ndryshe veçse e rrethuar me pikëpyetje dhe dyshime. Po cila është pasuria e deklaruarar e Arben Ahmetajt? Deklarata e parë e pasurisë së ministrit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, daton në vitin 2003, periudhë në të cilën ai u emërua zv/ministër i Energjisë. Dhe pikërisht këtu fillon paradoksi. Arben Ahmetaj ka deklaruar një investim prej 330 milionë lekësh aksione tek “Hermes” SH.P.K, duke deklaruar si burim kursimet dhe tre kreditime bankare.
Si e kurseu Ahmetaj një shumë kaq të madhe parash? Po këtë vit Ahmetaj deklaron edhe 100 milionë lekë të tjera kursime. Një familje normale, me punë të ndershme, i duhen 50 vjet për të kursyer 100 milionë lekë. Si mos të mjaftonin këto, pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ai ka deklaruar dy apartamente, me vlera 50 dhe 90 milionë lekë të vjetra. Ndërkohë që 20 milionë lekë të ardhura kanë qenë nga dhënia me qira e apartamentit. Ndërkohë një pasuri të lartë ka pasur dhe bashkëshortja, paga e së cilës ka kapur shifrën 40 milionë lekë. Nga viti në vit pasuritë e tyre janë rritur, bashkë me to dhe llogaritë bankare. Dy apartamente të tjera janë në pronësi të bashkëshortes, me vlerë nga 75 mijë dollarë dhe 105 mijë euro. Po ashtu, bashkëshortja ka marrë pjesë në një investim godine me vlerë 310 mijë euro bashkë me dy ortakë. Ahmetaj dhe bashkëshortja kanë deklaruar dhe makina luksoze, me vlera 15 mijë euro deri në 30 mijë euro.
Vitet 2004- 2005
Pas marrjes së detyrës së zëvendësministrit të Energjisë, pasuria e Arben Ahmetajt ka vijuar të rritet edhe më tej. Pranë ILDKP për vitin 2004 ai ka deklaruar plot 8 llogari bankare, me vlera nga 300 mijë lekë të vjetra në 35 mijë euro. Nga ana tjetër 18 mijë USD ka përfituar bashkëshortja nga shpërblimet në Fondin Shqiptaro-Amerikan të Ndërtimit. 6.5 milionë lekë ajo i ka përfituar nga paga në kompaninë “H-Communication SH.A” ish-Hermes, 6.5. Ndërsa përfitimi nga dividenti nga kjo kompani kap shifrën e 50 milionë lekëve. Edhe në vitin 2005 pasuria e ministrit ka vijuar të rritet dhe të ardhurat më të mëdha kanë ardhur nga kompania “H-Communication SH.A”. Këtë radhë dividenti ka kapur shifrën e 80 mijë USD.
Viti 2010-2014
Gjatë vitit 2010, pasuria e ministrit aktual të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ka kapur shifra gjigante. Vetëm në vitin 2010, ai ka deklaruar një llogari bankare me vlerë 300 mijë euro, e cila më pas është ndarë në disa llogari të tjera me vlera të mëdha. Ahmetaj ka përfituar shuma gjigante edhe si konsulent i jashtëm, pasi në “Bendi Integratet”, gjatë periudhës 2008-2009 ka marrë 45 mijë euro. Ndërsa si konsulent në “H-Communication SH.A” ka përfituar 10 milionë lekë. Në këtë vit bashkëshortja ka deklaruar 2 apartamente, me vlerë 75 mijë dollarë dhe 105 mijë euro. Po ashtu, Ahmetaj dhe bashkëshortja e tij kanë deklaruar automjete me vlera 25-30 mijë euro. Në deklaratën më të fundit, atë të vitit 2014 Ahmetaj ka deklaruar disa llogari të majme bankare. Ai ka shitur disa makina dhe apartamente duke futur në bankë 114 mijë euro. Nga ana tjetër, bashkëshortja ka bërë rivlerësimin e banesës, duke deklaruar një çmim prej 560 milionë lekë të vjetra.