Kategori
Uncategorized

Sega.

Salla ku Kryeministri mblodhi në këtë fund viti një numur gazetarësh u duk si një supermarket veglash nga ata “Bëje vetë”, ku mund të gjesh çdo gjë që të duhet për ta bërë vetë gjithçka.

Brenda këtij supermarketi gazetarët e ftuar u dukën si veglat gati për tu shitur.
Ardit Gjebrea ishte si një llapadar i madh kristali me shumë llampa dhe ornamente varur në tavan.
Nën llapadarin Ardit Gjebrea, që ishte më tepër për reklamë se për tu shitur, Alaksandër Frangaj si një vaskë porcelani e stërmadhe brenda së cilës ishin zhytur në ujë të ngrohtë një numur të ftuarish të cilëve nuk u dallohej fytyra për shkak të flokëve të lagura dhe rrobave të qullura.
Le të mos më zemërohet Ylli Ndroqi nga kurioziteti se si cila vegël u duk. Për këtë duhej së paku të kishte ardhur, a në kishte ardhur po s’e zuri kamera, e sigurtë se nuk do dukej më tepër se një dush vertikal me të gjitha aksesorët e nikeluar.
Mira Kazhani, një herë u duk si ballkon, pastaj si dhomë gjumi, herën tjetër si kuzhinë.
Iva Tiço, pompë me motorr elektrik për larje makine nga ato që përdoren për garazhe ose vila, me stekë për nxjerrjen e ujit me presion, dorezat përkatëse për mosndotjen e duarve, zorrët përkatëse, kabllot, deri bateri rezervë për ndezje në rast mungese korenti.
Lutfi Dervishi, sharrë hekuri me dorëzë plastmasi. Mirpo Lutfiu kishte bërë një marifet. Lamën prerëse e kishte vendosur në të kundërt. Në atë mënyrë që sharrimi të mos bëhej si normalisht me shtytje, por me tërheqje.
Mero Baze, agregat i kompletuar mbjellje krasitje korrje kopështarie, me tubat përkatës, me të gjitha. U duk se për këtë punë Meros i mungonte cisterna e ujit. Por po ta vije re mirë, edhe cisterna aty ishte, njëra nga zëdhënëset e bëshme të Partisë Socialiste që ka pas dhënë dikur lajmet tek Shijak TV.
Skënder Minxhozi, ishte tamam si një trapan për hapjen e vrimave në mure betoni me punto diamanti.
Fred Peza, botuesi im i parë në gazetën Korrieri, dhe jo si kujtojnë disa që botuesi im i parë është Hysenbelliu, në fillim u çfaq si qysqi për hapje shkëmbinjsh, pastaj si çati shtëpie në formë parabolike e ngjajshme me saçat satelitarë që vendosen nëpër ballkone për të marrë sa më tepër kanale.
Filip Çakuli ishte tamam si rrota e Fiks-it, por pa ato kunjat e drurit që lidhin rrethin e madh të rrotës me qëndrën e saj. Në vend të kunjave të drurit rrota e Filip Çakulit kishte tela biçiklete.
Blendi Fevziu motorr me djegje të brendëshme që ndizet me litar.
Litarin e ndezjes së motorrit të Fevziut e tërheq dhe e ndez Iris Luarasi që ndodhej në një tavolinë pak më tutje dhe dukej si çikrik. Iris Luarasi pra, kjo kolonjareshë 100 karatëshe, ajo damë salloni e shquar për oratori të gjithfarëshme.
Ylli Rakipi, tabaka erdhëndi me tre gota metalike të përmbysura mbi të. Brenda njërës nga këto tre gota ndodhej një kokërr misri. Ylli Rakipi, ato tre gota dhe atë kokërr misri i çvendos me aq shkathtësi sa askush nuk e gjen dot se brenda cilës nga tre gotat ndodhet ajo kokërr misri, dhe lojën e fiton gjithmonë Ylli Rakipi.
Baton Haxhiu, toidhjo gotë uji, por që mund të shërbejë edhe për verë dhe birrë, madje dhe për të tjera pije, për shembull raki Dobërdalani nakatosur me ujë të gazuar për të mos u dehur nga sukseset e UÇK-së në fshatrat e çliruara nga NATO.
Pirro Misha, spango, tutkall, tranxhë, agregat i kompletuar për ngjitje librasha shkruar nga budallenj si ata që përshkruan Mario Cipola në librin e tij të famshëm mbi ligjet themelore të budallallëkut njerëzor.
Alban Dudushi, saksofon, klarinetë, kitarrë, violinë, nuk u pa qartë çfarë.
Edi Rama, Mongolfierë që zë qiellin dhe u bën të gjithëve hije, duke u thënë të ftuarve;
O çuna, boll me gallata. Jemi që jemi në këtë supermarket veglash për gjëra që bëhen vetë. Bëni në këtë fundviti atë që është më e mira.

Merrni secili nga një sharrë, dhe bëni nga një sega.

 

 Nga Edison Ypi.

Lini një koment