Kategori
Uncategorized

TARIKATI BEKTASHI.

Referati i W.HAXHI BABA SADIK IBROKODHELI-T.
Me Emrin e Zotit Meshiruesi dhe Meshirberesit!
I nderuar Kreu i Selise se Shenjte, hiresia juaj, Haxhi Baba Edmond Brahimaj.
Te nderuar Studiues, Shkrimtar dhe Petagoge.
Te nderuar pushtetar te pushtetit vendor te Qytetit te Elbasanit.
Te dashur vellezer Klerike te trevave te ndryshme te vendit tone.
Te nderuar: Zonja dhe Zoterinj!.
Ju kërkoj leje të mos i përmbahem kornizave të zakonshme të një referati, dhe kjo për arsyen se kur nisa të shkruaja per shembullin e Profetit Muham-med a.s, kuptova se isha gabim. Nuk ka vlerë të përsërisim nëpër kumtesa e referate vlerat e Profetit, apo Shenjtorëve, nëse i harrojmë ato sapo dalim nga kjo derë.
Sigurisht që Vula e Profetëve është shëmbulli për t’u ndjekur, Ai është i gjithi virtyt, e s’kishte si të ishte ndryshe sepse është i zgjedhuri i Zotit, edhe feja e tij është puritane, por në të vërtetë njerëzit sot nuk e dëshmojnë dot këtë.
Sot kemi rënë në një pozitë të tillë sa kemi harruar të sillemi si njerëz. Gjendemi tepër larg të shprehurit të veçorive, megjithë aftësitë tona të mrekullueshme që bën edhe engjëjt të na kenë zili, por bëjmë edhe vepra që turpërojnë edhe shpirtrat e ndyrë. Jetojmë çdo çast me mëri e urrejtje, turfullojmë dhe e shikojmë njëri-tjetrin vetëm me hakmarrjeje. Shpirtrat tanë janë të zbrazur nga dashuria, mjegulla e tymi i armiqësisë na ka mbrujtur të gjitha ndjenjat dhe jetojmë larg prej ndikimit të magjepshëm të dashurisë. Mendjet tona s’reshtin së prodhuari ndjesi dashakeqe
Ndërkohë që gjithkush dhe gjithçka pret që t’i zgjatet një dorë; por ate nuk e ndjene kurre, por i shembet përtokë me dëshpërim përballë indiferentizmit dhe pamundësisë sonë….. shemben përballë pandjeshmërisë dhe mosveprimit tonë duke mos gjetur përgjigje karshi britmave të tyre. Edhe pse pak, ka nga ata që i dëgjojnë e i ndjejnë këto britma, por ata janë të pamundur e të pafuqishëm perballe kesaj mizorie njerezish qe jane te gjendje te gllaberojne gjithecka per interesat e tyre vetiake.
Zoti ka dashur që me anë të ekzistencës dhe materies ta prezantojë e ta bëjë të njohur veten e tij, edhe me anë të komunikimit dhe zbulesës hyjnore, të kuptohen urdhrat e krijimit dhe urdhrat e zbritura.
Por që Ai të njihet ashtu siç është dhe që njerëzit t’i japin botës kuptimin e duhur , ka kërkuar që robtë e Tij të mësojnë përgjegjësitë e tyre, mënyrën se si duhet t’i plotësojnë ato, rregullat dhe etikën e rrugës ku ecin e ku do të ecin, si dhe premtimin e synimit ku kanë për të arritur.
Pikërisht duke u mbështetur mbi këtë domosdoshmëri, Allahu e ka nderuar me praninë e një Profeti të veçantë pothuajse çdo periudhë, Fuqia e Përjetshme nuk i ka lënë milingonat pa sundimtar dhe bletët pa mbretëreshë, por edhe njerëzimin në asnjë kohë s’e ka lënë pa Profet!
Sepse Zoti, në çdo punë të të Cilit ka shumë urtësi në urdhrat revelativë dhe legjislativë nuk ka marrë për bashkëbisedues gjithkënd, nuk ka biseduar hapur e qartë me gjithkënd; në një çështje të tillë shumë të rëndësishme dhe që kërkon trajtim në veçanti, ka zgjedhur disa karaktere të veçantë të pajisur posaçërisht dhe të aftë për ta jetuar jetën në nivelin e zemrës dhe shpirtit dhe ka biseduar vetëm me ta duke ua njoftuar ndërgjegjeve me anë të këtyre kapaciteteve të mëdhenj, natyrave të mrekullueshme dhe karaktereve të lartë: ” qëllimin e krijimit, urtësitë e ekzistencës, kuptimet dhe përmbajtjen e botës dhe çka ndodhet brenda saj, përbërjen dhe cilësinë e botëve përtej, rrugët që do t’i çojnë njerëzit në botët përtej në pavdekësi.
Vetëm në këtë formë , përmes njerëzve të zgjedhur Zoti i ka folur të gjithëve duke i shpëtuar njerëzit nga vetmia, nga mungesa e qëllimit, nga mungesa e detyrës, nga mungesa e synimit.
Të gjitha këto synime të larta Allahu i ka realizuar me anë të atyre personave të veçantë e të zgjedhur dhe i ka bërë ata gjuhën, dhe komentuesin e ekzistencës dhe materies, udhëzuesit e pagabuar të arritjes në adhurim, orientim, sinqeritet dhe në vendin e jetës së pasme.
Që të gjithë Profetët – vetëm me dallim grade mes tyre – janë modele të natyrës së pastër, shembuj të moralit të lartë, monumente nderi dhe virtyti, heronj besueshmërie dhe modele tipike besnikërie.
Me karakterin e tyre të lartë, me qëndrimet serioze, me gjendjet e tyre gjithmonë premtuese për besueshmëri e siguri, me orientimin e tyre tërësisht të pagabueshëm, me drejtësinë dhe ndershmërinë e tyre të pandryshueshme, me besnikërinë e tyre të njëjtë me të engjëjve, me qëndrueshmërinë e tyre si të maleve dhe me atë vetëdijen e tyre tejet të thellë të robit dhe adhurimit ndaj Allahut, Profetët janë njerëz shembullorë të treguar gjithmonë me gisht!
Në të njëjtën kohë, këta njerëz, me pamjen dhe trajtën të patëmetë, me figurën morale ia kujton Zotin çdokujt që i sheh, me ecurinë e jetës së tyre janë udhërrëfyesit, janë pasqyra ku duhet ta kontrollojmë këtë shoqëri.
Profeti i tërë gjithësisë dhe dukurive e ngjarjeve, interpretimi dhe nxjerrja në shesh e thellësive hyjnore, është dhuratë e Zotit për ne. Çdo ndërgjegje që s’është verbuar, pavarësisht nga niveli ku ndodhet, duke i vlerësuar këto shpjegime dhe interpretime mund të arrijë në nivelet më të larta.
E shoh të dobishme të kujtojmë edhe një herë se detyra e vërtetë e Profetëve është që të sigurojnë pastrimin e njerëzve nga veset e këqija dhe nga shprehitë e këqija, si mendjemadhësia, padrejtësia dhe dhuna, thyerja, imitimi, mbetja nën ndikimin e egos dhe sensualitetit, etj., të cilat konsiderohen pengesa në afrimin tek Allahu dhe pretekste për t’u larguar prej Tij.
T’i bëjnë njerëzit të interesohen dhe priren nga cilësitë dhe shprehitë e bukura, si modestia, edukata, orientimi i mendimit, përkrahja e të drejtës, prirja ndaj jetës ndjesore dhe shpirtërore, etj.; t’ua tërheqin vëmendjen njerëzve dhe t’ua kujtojnë pozitën ku ndodhen dhe përgjegjësitë që kanë dhe t’i mësojnë ata të jenë respektues në marrëdhëniet me Krijuesin, të dhembshur ndaj krijesave.
Kur ne vështrojmë jetën e lartësuar të Profetit Muham-med, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, ne shohim që ai praktikonte gjithçka predikohej në Kur’an. Për shembull, dikush vinte dhe pranonte shkeljen e kurorës bashkëshortore duke kërkuar të pastrohej nga mëkatet e tij, cilido që të ishte ndëshkimi, Profeti i thoshte atij: “Shko në shtëpi dhe pendohu. Nuk ka mëkat që Zoti nuk e fal.” Një tjetër hadith tregon se si një person akuzoi një tjetër për vjedhje. Vetëm kur po afrohej momenti për të dhënë ndëshkimin, njeriu ndërroi mendje dhe e fali vjedhësin, vendim për të cilin Profeti i tha: “Pse nuk e fale atë që në fillim?”
Prandaj mund të shihet që metoda e adoptuar nga ata që i trajtojnë të tjerët me urrejtje dhe armiqësi, që u kundërvihen muslimanëve, çifutëve dhe krishterëve pavarësisht se kush janë, që janë mbrujtur me zemërim dhe përbaltin të tjerët duke i cilësuar “të pafe,” nuk është aspak në përputhje me Islamin.
Islami është një fe e dashurisë dhe tolerancës. Muslimanët janë adhuruesit e dashurisë dhe mëshirës, njerëz që u shmangen të gjitha akteve terroriste dhe që kanë pastruar trupat e tyre nga të gjitha format e urrejtjes dhe armiqësisë.
Myslimanët, çdo ditë luten me fjalët “O Zot, mbana ne në rrugë të drejtë!” Një lutje, e cila na ndihmon t’i qëndrojmë sa më larg teprimeve, duke jetuar kështu një jetë të ekuilibruar. Nuk duhet të biem kurrsesi pre e instinkteve tona të çastit për të reaguar ashpër, as nuk duhet të qëndrojmë kryekreje të heshtur përballë vazhdës së shpifjeve mbi vlerat dhe besimin tonë. Ky ekuilibër është çoroditur paksa .
Askush nuk mund të veprojë pa maturi, kur në shënjestër janë marrë të drejtat e çdo myslimani, të Zotit, të Kuranit dhe të Profetit. Madje çdokush duhet të shqyrtojë me kujdes edhe pasojën më të vogël të çdo veprimi të tij, duke kërkuar fillimisht urtësinë e gjykimit kolektiv.
Pyetja, që ne si myslimanë duhet t’i bëjmë vetes, është në ia kemi shpjeguar botës si duhet, Islamin dhe Profetin Muham-med. A e kemi ndjekur ne shembullin e Tij në atë mënyrë që të meritojë admirimin e gjithkujt? Kjo është detyra jonë, e jo me fjalë, por me mënyrën tonë të jetesës.
Një mysliman duhet të jetë gjithnjë i drejtë dhe i qëndrueshëm në fjalët dhe veprimet e tij. Ai duhet të respektojë të gjitha vlerat e shenjta të të krishterëve, hebrenjve, budistëve dhe të tjerëve, njëlloj siç dëshiron që të tjerët të tregojnë respekt karshi fesë dhe vlerave të tij. Teksa reagon, ai nuk duhet të ndahet kurrsesi prej rrugës së mesme, që është më e mira. Shumë mënyra përgjigjeje mund të gjenden duke u mbështetur te vetëdija kolektive e shoqërisë.
Ligjërimi i urrejtjes për të nxitur dhunën është një keqpërdorim i lirisë së fjalës. Ajo dhunon të drejtat, dinjitetin dhe liritë e të tjerëve, duke e çuar kështu njerëzimin drejt konfliktit në një epokë të armatimeve të tmerrshme.
Të djegësh e të shkatërrosh çka përreth, të përngjasësh gjithçka me veten dhe të poshtërosh me dhunë atë që e konsiderojmë “tjetër”, janë bërë situata të zakonshme. Pjesa jonë dërrmuese jetojmë nën diktatin e ndjenjave pavarësisht arsyes e logjikës. T’i shtypësh ata që s’mendojnë si ne e t’u mbyllësh gojët atyre, është prej cilësive tona më dalluese. Duke mos menduar se mund të ketë shumë rrugëzgjidhje për shumë probleme, veprojmë sipas asaj që dimë dhe në rrugën e ndërtimit, bëhemi shkas i sa e sa shkatërrimeve. Të hysh në zemrat e shoshoqit dhe të shprehim individualitetin tonë me gjuhën e shpirtit e me fjalë zemre, ka mbetur si një metodë e prapambetur demode…
Jetojmë çdo çast me pështjellimin e të përballurit me shumë mendime antagoniste të prodhuara prej egoizmit tonë dhe të përfaqësuesve të tyre. Zemërohemi vazhdimisht, turfullojmë me urrejtje dhe po të kemi mundësi i hidhemi përsipër të tjerëve. Shtypim me këmbë ato që kemi mundësi t’i shtypim, e, me ata që s’na mjafton forca, luajmë me nderin e dinjitetin e tyre dhe po të kemi forcë e mundësi mediatike, i përplasim sa në një cep në tjetrin, duke i lënë në vuajtje më të këqija se vdekja.
Përpara gjithë këtyre situatave negative, ajo çka dëgjohet është ose ngërdheshja e tiranëve, ose rënkimi i të dhunuarve. Prej vitesh disa shtete shtypen e dhunohen vazhdimisht duke rënkuar të tërë si popull. Mendjet janë të shtangura, ndjenjat dhe emocionet të fikura, shumica është huajësuar ndaj vlerave të veta dhe gjithkush është bërë ujku i njëri-tjetrit. Mendimet dhe botëkuptimet ndryshe konsiderohen si mosmarrëveshje dhe përçarje në këto lloj shoqërish, dalin në pah shfaqje të dhunshme të pamundura për t’u ndalur dhe njerëzit nxiten në luftë kundër njëri-tjetrit. Njëri i nxjerr syrin tjetrit dhe e vret; tjetri i drejtohet me bomba në trup ose me makina të ngarkuara me bombë. Kudo përjetohet tjetër dhunë e egërsi po aq sa edhe egërsia e tyre, ndoshta edhe më tepër.
Ejani atëherë, në këto ditë ku udhët tona janë të ndara, t’i vëmë veshin thirrjeve universale hyjnore që jehon nga zëri i Shenjtoreve e Profetëve dhe të themi “Dashuri” dhe “Vëllazëri”!
Ejani, t’ia tregojmë edhe njëherë botës me ngjyrën dhe dizenjon e saj veçantinë e të qenit njeri!
Ejani, të themi edhe njëherë me gjithë sinqeritetin tonë dashuri dhe dialog në këto ditë ku urrejtjet, mëritë, inatet dhe mllefet kanë nxirë faqen e botës.
Ejani, ta zgjerojmë shpirtin sipas gjerësisë së mëshirës hyjnore dhe t’ia hapim zemrën çdokujt!
Ejani, të heqim dorë së pari vetën tone si pika uji të destinuara për t’u tharë e për t’u zhdukur, të përzihemi me përrenjtë dhe të vrapojmë drejt së qenit oqean!
Përderisa të gjithë jemi njerëz, do të thotë se në genet tona ekzistojnë genet e Ademit dhe në thelb kemi shpirtin e të Vërtetave Muhamedane;
Atëherë ejani, t’i ngremë krye të gjitha cytjeve djallëzore dhe të bërtasim me aq fuqi sa të tronditim botën se jemi mëkëmbësit e faqes së tokës, se jemi të denjë për të arritur majat e qiellit dhe t’ia bëjmë të ditur edhe njëherë engjëjve veçantinë e të qenit njeri! Ejani, t’i shndërrojmë udhët ku ecim në një rrugënajë dhe t’i drejtohemi Zotit duar e zemërbashkuar.
Ju faleminderit per vemendjen tuaj!
Sinqerisht juaji me bese:
W H.Baba Sadik Ibrokodheli.

Lini një koment