Kategori
Uncategorized

Rama Ik

8 dhjetori ka hyrë në historinë e Shqipërisë si dita kur diktaturat japin shpirt. Vdekja e diktaturave nuk është e papritur. Nuk është një fenomen që zë të papërgatitur diktatorin dhe aparatin kriminal rreth tij. Vdekja e diktaturës nuk e zë të papritur as popullin. Diktaturat shemben prej malit të krimeve që ato kryejnë, pasi populli vendos të ngrihet, t’i heqë dhe të çlirohet nga barra e tyre. Partia Demokratike ka thërritur sot shqiptarët të shembin një diktaturë, të rrëzojnë një regjim kriminal, të flakin nga institucionet dhe zyrat e shtetit një bandë trafikantësh, vrasësish dhe hajdutësh të babëzitur, të marrin në dorë të sotmen dhe të ardhmen e tyre.
Qindra mijëra të mjeruar në këtë vend do të jenë sot në Sheshin “Skënderbej”, pasi nuk munden më të mbijetojnë në mëshirë të fatit. Kjo qeveri dhe mazhorancë i ka mjeruar me taksa dhe fatura, i ka braktisur, duke i lënë pa punë, pa shtëpi, pa bukë, pa ndihmë, pa shpresë. Buxhetet e shtetit nuk parashikojnë më rritje rrogash, pensionesh, investimesh, vende pune. Për të tretën herë radhazi në buxhete rriten shpenzimet e luksit për Kryeministrin dhe ministrat, rriten pagesat për tenderat, koncesionet dhe konsulencat që qeveritarët i ndajnë me klientët e tyre. Buxhetet e shtetit janë shndërruar në çeqe shumëmilionëshe që shkojnë në xhepat e atyre që na qeverisin, në plaçkë që ndahet mes hajdutëve që kontrollojnë çdo institucion, duke garantuar për shumicën e shqiptarëve thellimin e varfërisë, skamjen e dhimbshme.
Qindra mijëra të rinj e të reja do të jenë sot, duke marshuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pasi 8 dhjetori është dita që mban emrin e tyre. Mospajtimi i tyre me ligjin e Arsimit të Lartë është arsyeja më e vogël dhe jo më e parëndësishmja që i nxjerr ata përballë Ramës dhe klaneve kriminale që kanë shkatërruar gjithçka në këtë vend. Të rinjtë nuk mund të rrinë spektatorë dhe të shohin se si Parlamenti, qeveria, institucionet dhe administrata në këtë vend janë “mollë e ndaluar” për ta, ndërsa janë shndërruar në streha për kriminelët më të rrezikshëm që kanë njohur në qytetet, lagjet dhe rrugët e tyre. Ata nuk mund të pranojnë që diplomat e tyre, punësimi i tyre, e ardhmja e tyre të ndërtohen sipas vizionit që kanë një grup drogaxhinjsh, përdhunuesish, trafikantësh dhe hajdutësh.
Qindra mijëra shqiptarë do të ndalen para selisë së kryemafiozit, kryehajdutit dhe kryebanditit jo vetëm për t’i thënë fjalën e fundit një kërme të ngordhur. Shqiptarët kërkojnë përfundimisht të përdorin ditën e sotme si një moment për t’i thënë vetes dhe njëri-tjetrit se Shqipëria mund të bëhet, se e ardhmja mund dhe do të ndërtohet në Tiranë, Durrës, Shkodër, kudo në këtë tokë të bekuar. Shqiptarët e dinë se dekriminalizimi real bëhet me largimin e Ramës, pasi ai është megamagneti i krimit të organizuar në Shqipëri. Shqiptarët e dinë se reforma në drejtësi nuk bëhet pa larguar Ramën, dhunuesin harbut të çdo ligji, institucioni dhe nëpunësi në këtë vend. Shqiptarët e dinë se reforma zgjedhore dhe zgjedhjet e lira nuk mund të bëhen pa shporrur Ramën, i cili ka provuar se për të fituar zgjedhjet përdor para, qelbësira, banda, ndarje territoriale dhe manipulime të pafundme.
Rama e di se sot është dita e tij e fundit në karrigen e Kryeministrit. Jo vetëm se është i vetëdijshëm për dëmet që ka sjellë në jetën e çdo shqiptari që nuk është në oborrin e tij, por edhe për faktin se e njeh 8 dhjetorin. 25 vjet më parë shqiptarët i thanë mjaft krimit, varfërisë, pasigurisë dhe padrejtësisë. Sot është dita për ta larguar një herë e mirë njeriun që na i risolli këto ditë të zeza. Rama ik, nuk është vetëm një thirrje e demonstruesve, por rezultati i protestës së sotme. Kjo shkatërrinë që Rama ka ngritur para syve tanë do vetëm një dorë të shembet. Sot, në protestë janë qindra mijëra duar dhe rrafshimi i saj është një gjë e sigurtë. Rama iku. Asgjë nuk e shpëton dot nga verdikti i shqiptarëve që nuk duan të mbeten më të shtypur, mjeruar, mashtruar dhe të pa shpresë. Prandaj më 8 dhjetor shembja e diktaturës është një gjë e sigurtë.

“De Telegraf: Rama lidhje të ngushta me tregtarët e drogës

Gazeta më e madhe holandeze ‘De Telegraf’ i ka kushtuar një vëmendje të veçantë fenomenit të azilkërkuesve shqiptarë në këtë vend. Në një artikull të gjatë të publikuar në faqe të parë të gazetës, denoncohet mbërritja e qindra shqiptarëve në Holandë. Në këtë vend azilkërkuesit shqiptarë janë gjithmonë e në rritje. Por sipas “De Telegraaf”, në Gjermani ka një fluks shumë herë më e lartë shqiptarësh, ku rreth 100.000 shqiptarë kanë kërkuar azil në dy vitet e fundit. Gazeta ka intervistuar dhe kreun e opozitës shqiptare Lulzim Basha. Gazeta shkruan se për Bashën ikja masive e shqiptarëve nuk erdhi si befasi, pasi largimin masiv është një simptomë nga ajo çfarë po ndodh në Shqipëri. “Eksodi në Gjermani dhe Holandë është një simptomë e asaj që po ndodh në Shqipëri. Vendi ynë nuk është një vend i drejtësisë, por është një vend i padrejtësive”, tha Basha për gazetën “De Telegraaf”. Gazeta mbyll shkrimin duke shkruar se “qeveria e Kryeministrit socialist Edi Rama ka lidhje të ngushta me tregtarët e drogës, bosët e prostitucionit dhe trafikantët e qenieve njerëzore”. Sipas Bashës kjo është një nga arsyet perse shqiptarët po largohen aq masivisht nga vendi i tyre. Numri i azilkërkuesve shqiptare janë çdo muaj në rritje të ndjeshme në Holandë. Sipas statistikave zyrtare nga Holanda, gjatë muajit tetor plotë 286 qytetarë shqiptarë kërkuan azil në Holandë, nga 171 që u regjistruan në muajin shtator.

Lini një koment