Ndonëse e kanë mbrojtur veten duke u vetëpërjashtuar nga parashikimet e ligjit tashmë të hyrë në fuqi, deputetët e Parlamentit Shqiptar i druhen hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe mundësisë së rrjedhjes së dokumenteve për të kaluarën e tyre.

Ligjvënësit shqiptarë, pasi ndryshuan dhe deformuan shumë nene në ligjin për hapjen e dosjeve, po demostrojnë mungesë vullneti për konstituimin e Autoritetit për Hapjen e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Prej kohësh, në rrethet politike dhe mediatike, është përfolur se shumica e deputetëve shqiptarë kanë qenë të lidhur në forma dhe nivele të ndryshme me ish-Sigurimin e Shtetit. Në këto kushte, deputetët janë treguar shpërfillës për konstituimin e komisionit të posaçëm për hapjen e dosjeve. Aktualisht, procesi i përzgjedhjes së kandidatëve është bllokuar sepse shumica prej tyre nuk janë pajisur me certifikatë sigurie. Ndërsa ky problem, deri diku formal, pritet që të zgjidhet, kandidatët po hasin një pengesë tjetër. Konkretisht, ata nuk po mundet të marrin dot firmat e 28 deputetëve.

Sipas parashikimeve në ligj, por dhe shpalljeve të bëra nga Kuvendi, kandidatët duhet që të mbledhin firmat e rreth 28 deputetëve, në mënyrë që të kalojnë për diskutim në Komisionin parlamentar të Ligjeve, i cili pesë prej tyre do ia propozojë seancës parlamentare për miratim. Por çfarë është duke ndodhur? Nga kontaktet me disa prej kandidatëve të mbetur në garë, ata janë shprehur se po hasin vështirësi në sigurimin e mbështetjes së 28 deputetëve, duke mos mbledhur as edhe një firmë. Sa i përket periudhës se kur pritet të ngrihet komisioni, vetë kandidatët janë shprehur skeptikë, duke thënë se procesi po zvarritet dhe nuk dihet se kur do të bëhet konstituimi i Autoritetit për Hapjen e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit.
 
Përzgjedhja e kandidatëve   
Pas shpalljes së garës nga ana e Kuvendit për anëtarë të komisionit që do të zbulojë spiunët e Sigurimit të Shtetit, shprehën interes 13 persona. Në fillim të muajit tetor, ata zhvilluan një seancë dëgjimore në Nënkomisionin për të Drejtat e Njeriut, ku prezantuan të shkuarën dhe karrierën e tyre. Nga verifikimet e bëra nga anëtarët e këtij nënkomisioni, u bë skualifikimi i dy prej kandidatëve. Një prej tyre u zbulua se kishte qenë pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit, ndërsa një tjetër nuk u paraqit në seancën dëgjimore. Aktualisht në garë kanë mbetur 11 kandidatë. Vetë Autoriteti i Hapjes së Dosjeve të Sigurimit të Shtetit do të përbëhet nga pesë anëtarë. Dy do jenë përfaqësues të Kuvendit, një i qeverisë, një i të përndjekurve politikë dhe një i shoqatave për të drejtat e njeriut. Aktualisht, Komisioni parlamentar i Ligjeve ka përzgjedhur vetëm zonjën Gentiana Sula, që është propozuar nga ana e qeverisë për të qenë anëtare e autoritetit. Ndërkohë, kandidatët e tjerë duhet që të sigurojnë mbështetjen e të paktën 28 deputetëve, në mënyrë që dhe ata të kalojnë në një seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve dhe më pas deputetët do të vendosin se kush prej tyre do t’i dërgohen seancës plenare për t’u votuar. Por duket e ky proces do të gjasë shumë, pasi vetë kandidatja e propozuar nga qeveria, edhe pse ka marr miratimin që para një muaji, ende nuk është hedhur për votim në seancë.

Syri.net.