Zv.Kryeministres së Suedisë, Asa Romson, i kanë rrjedhur lotë nga sytë dje kur i është dashur të deklarojë para mediave se polikës së dyerve të hapura të vendit për refugjatët, i erdhi fundi.
Vendi nordik ka një histori të gjatë dhe krenohet me të qënit një nga vendet më mikpritës për refugjatë duke marrë më shumë refugjatë për frymë se çdo vend tjetër perëndimor, mbi 190 mijë të tillë.
“Ky është një vendim i tmerrshëm, tha Romson, e cila mbështetet nga Partia e Gjelbër, duke thënë se këto masa do t’i bëjnë më të vështira gjërat për refugjatët.
Kurse, Kryeministri i Suedisë, Stefan Lovfen, tha se vendi i tij ka nevojë për një afat: “Është e dhimbshme për mua që Suedia nuk është më në gjendje të pranojë azilkërkues. – tha ai. – Por ne thjesht, nuk mund të bëjmë dot asgjë më shumë.”
Qeveria suedeze mori një sërë masash me shpresën për të frenuar refugjatët që vijnë drejt saj. Para krizës, refugjatëve iu dha një leje e përhershme qendrimi, por tani e tutje atyre do t’u jepet vetëm një leje e përkohshme.
Pika kontrolli janë ngritur kudo në transportin publik dhe e drejta për bashkim familjar është kufizuar. Nga ana tjetër, Suedia ka shtuar kontrollin e kufijve duke dyfishuar oficerët që patrullojnë bregun jugor, nga ku refugjatët mbërrijnë.
