
Një kilogram marijuanë shitet sot në Shqipëri nga prodhuesit për 1800-2000 euro. Në Itali, kjo drogë trafikohet duke u shitur nga 3800-4000 euro. Krerët e bashkive në zonat ku mbillet hashashi nga Tepelena deri në Krujë u marrin trafikantëve nga 100 euro për rrënjë, ndërsa policia që të mos u prekë, u merr nga 200 deri në 300 euro për kilogram
Helikopterët e Guardia di Financa të Italisë zbarkuan pak ditë më parë në Shqipërim duke fotografuar plantacionet e mbjella me hashash në të gjithë vendin. Përfundimi është i trishtë. Janë me qindra mijëra hektarë të mbjella me hashash në të gjithë vendin. Italianët parashikojnë një verë dhe vjeshtë të fortë. Policisë së saj i duhet të përballojë fluksin e madh të prodhimit të hashashit në brigjet e veta. Tregu kryesor i hashashit për të gjithë të mbjellat e këtij viti do të synohet që të jetë Italia. Me rrugë ilegale natyrisht. Përdorimi i lirshëm i skafeve të fuqishëm anëekënd bregdetit i lehtëson punën trafikanëtve, të cilët kanë nisur nga planet e dërgesave prej kuintalësh të hashashit drejt Italisë. Puna e policisë italiane do të jetë akoma dhe më e vështirë. Ndërsa trafikantët po përgatiten për të korrat e tyre, Italia ka hartuar planin e vet të masave drastike për t’u përballur me trafikantët.
Shqipëria është shndërruar në Kolumbi e Europës për prodhimin e hashashit. Përgjatë këtyre dy viteve numërohen disa qindra tonelata drogë në drejtim të Italisë, por ky vit pritet të jetë edhe më i madh në eksportin e drogës. Një rol të rëndësishëm kanë luajtuar këtu deklaratat nxitëse të qeverisë për të legalizuar hashashin. Në krye të fushatës u vendos benjamini i Kryeministrit Kokëdhima. Ky e konsideron veten si Kryeministër të Jugut ndaj edhe Jugu sot është i mbushur i gjithi me hashash.
Policia e cila do të duhet të ishte në vijën e parë të frontit për të luftuar trafikun e drogës jo që ka kapitulluar, por tani është bërë pjesë e biznesit të trafikantëve. Dëgjohen në mënyrë sporadike lajme për shkulje të disa rrënjëve hashash në disa zona të vendit, por ato bëhen sa për të gënjyer opinionin. Por më keq akoma banorët tregojnë se të gjitha operacionet e policisë adresohen në zona ku trafikantët kanë refuzuar që të paguajnë gjobën që u është kërkuar nga policia.
Shifrat e biznesit të hashashit gjatë këtij muaji janë të frikshme. Një kilogram hashash po tregtohet sot nga 1800 euro për kilogram në 2 mijë euro për kilogram. “Varet nga cilësia. Deri tani jemi të kënaqur me këto çmime. Nëse prodhimi do të jetë i lartë sikurse po dëgjojmë, atëherë çmimet mund edhe të bien”, shprehet Kujtim F., një banor i Tepelenës, i cili thotë se ka mbjellur 1500 rrënjë me kanabis.
Të pyetur nëse kanë frikë nga policia, ata thonë se nuk kanë aspak frikë, pasi e kanë gjetur “gjuhën me policinë”. “Që të mos kemi probleme me policinë këto ditë duhet të paguajmë. Policisë i japim 100 euro për kilogram. Kjo është një marrëveshje e heshtur që e respektojmë të gjithë”, vazhdon banori, i cili thotë se kjo është puna e vetme që ai shpreson të marrë para.
Pothuajse e gjithë Tepelena është e mbjellë me hashash. Kryetari i Grupit parlamentar të PD, Paloka denoncoi në Parlament implikimin e Kryetarit të Bashkisë së Tepelenës në këtë trafik, duke lexuar mesazhin e një prej forcave policore. “Mbërritëm tek parcela e një trafikanti, pasi kishte 10 mijë rrënjë të mbjella. Kur nisëm punën, dikush na doli dhe na tha se janë të Tërmetit, Kryetarit të Bashkisë së Tepelenës, gjë që na bëri që të mos i prekim asnjë rrënjë”, shkruante mesazhi.
Nga Jugu në Veri beteja për Bashkitë ka qenë edhe betejë për drogën. Fushata në Krujë e trafikantit Bushi ka qenë në zonat e Malësisë së Krujës dhe zona të tjera se në rast se më votoni mua do t’i keni të sigurta të mbjellat e hashashit. Sot, nuk funksionon krejtësisht ashtu.
Nga Jugu në Veri kryebashkiakët janë bërë po ashtu pjesë e biznesit të trafikantëve të drogës. Kryebashkiakët marrin 100 euro për rrënjë të çdo parecele të mbjellë me hashash. Nëse ndokush nuk i bindet këtij pakti, atëherë kryebashkiaku u dërgon forcat e policisë, të cilat nisin të shkulin rrënjët. Kryebashkiakët me rekorde kriminale që Rama e Meta kanë vendosur në shumë bashki udhëheqin punët e trafikut dhe organizojnë edhe mbledhjen e “taksës” së tyre.
Ata caktojnë njerëz që trokasin në dyert e shtëpive të të gjthë atyre që kanë plantacione droge. I numërojnë rrënjët dhe më pas i vendosin edhe gjobën. Për një parcelë me 1 mijë rrënjë kanabis, marrin 100 mijë euro. Por kjo nuk është kostoja e vetme që kanë trafikantët. Kostoja tjetër është ajo e policisë. Këta janë më të ashpër. Këta përfitojnë për çdo kilogram hashash nga 200 deri në 300 euro. Asnjë rrënjë kanabis nuk mund të tregtohet nëse trafikantët nuk kalojnë më parë nga policia.
Parcelat që jepen para mediave si askokoe të policisë janë pikërisht të atyre trafikantëve që kanë refuzuar që të paguajnë gjobën ose tek policia, ose tek sekserët e Kryebashkiakëve që kontrollojnë territorin.
Megjithatë trafikantët thonë se, janë të kënaqur edhe duke paguar gjobat tek policia dhe kryebashkiakët. Arsyeja është e thjeshtë të shesësh një kilogram hashash deri në 2 mijë euro nuk është një shumë e vogëll dhe të llogarisësh se prodhimi këtë vit ka arritur kulmin, kuptohet që fitimi është mjaft i madh.
Kjo që kemi shpjëguar është skema si funksionojnë trafikantët prodhues. Trafikantët e tjerë janë ata që e blejnë nga prodhuesit dhe e shesin hashashin tek trafikantë që e trafikojnë në Itali, Greqi dhe vende të tjerë. Këtu nisin pazare të reja. Një trafikant që e merr drogën për ta trafikuar në Itali fiton po ashtu një shumë kolosale. Hashashi tregtohet në Itali me dyfishin e vlerës që blihet në Shqipëri. Nëse një kilogram këtu po tregtohet deri në 2 mijë euro, në Itali një kilogram hashash i cilësisë së mirë shitet deri në 4 mijë euro.
Kuptohet që flitet për shuma të mëdha dhe fitimet arrijnë miliona euro. Trafikantët kanë zgjedhur të bashkëpunojnë me policinë edhe për trafikimin drejt Italisë apo Greqisë. Askush nuk i ndal skafet e tyre të shpejtë dhe të fuqishëm. Ndërsa skafet përdoreshin për klandestinë, tani për drogë. Por, nuk janë vetëm skafet. Trafikimi me anije për tonelatat e hashashit është një opsion tjetër i përdorur me sukses një vit më parë.
Nuk dihet se kush do të ndalë trafikun e drogës këtë vit, ndërsa që qeveria, dhe policia dhe pushteti vendor janë pjesë e biznesit të trafikantëve. Shqetësimi është i madh në Itali, Greqi, por edhe në Malin e Zi. Ndërsam Guardiua di Financa ka nisur kontrollet nga ajri, policia në Malin e Zi ka shtuar edhe kontrollet e qytetarëve që shkojë me pushime, duke i çuar radhët në kilometra.
Fundi i të gjithë kësaj historie do të jetë i trishtë, Shqipëria një Kolumbi e Europës dhe një shoqëri që gjithnjë dhe më shumë po kriminalizohet.
Arben Shahini