Kategori
Uncategorized

Shqipëria rikthehet në listën e vendeve për trafik prostitucioni.

Në Shqipëri është aktivizuar trafiku i prostitucionit drejt vendeve të BE.

Shqiptaret, nigerianet, vietnamezet dhe rumunet zënë vendin e parë të grave të trafikuara në Britaninë e Madhe. Të dhënat vijnë nga Ministria e Brendshme britanike pas dënimit të 11 personave që kishin trafikuar qindra vajza për prostitucion dhe punë të rënda nga Hungaria në Britani. Sipas një raporti të “Reuters”, mbi 13 mijë viktima të skllavërisë moderne në Britaninë e Madhe janë të detyruara të punojnë në ndërmarrje dhe në bujqësi, janë shitur për prostitucion nëpër shtëpi publike apo mbahen si shërbyese nëpër shtëpi. Shumica e tyre vijnë nga Shqipëria, Nigeria, Vietnami dhe Rumania.

Në rastin e trafikantëve nga Rumania, të paktën 250 vajza ishin trafikuar për t’u shfrytëzuar për prostitucion në shtëpi publike në Londër dhe Peterborou. “Ndërsa në shumë raste të tjera vajzat kanë punuar në mënyrë vullnetare nëpër shtëpitë publike, në këtë rast ato ishin trafikuar për t’u shfrytëzuar dhe për t’u mbajtur nën kontroll. Vajzat duhet të paguanin më shumë se gjysmën e fitimeve për privilegjet që u bëheshin duke punuar në shtëpitë publike që drejtoheshin nga të pandehurit”, u shpreh prokurori Baljit Ubhey në një deklaratë. Ai tha se shpresonte që ky rast të dëshmonte vendosmërinë e autoriteteve britanike për të bashkëpunuar me partnerët në vendet e tjera për të goditur krimin e organizuar të përfshirë në shfrytëzimin e prostitucionit.

Grupi i të dënuarve përbëhej nga burra dhe gra të moshave nga 28 në 53 vjeç. Ata u dënuan nga 20 muaj në 14 vjet burg. Një prej tyre u dënua edhe për dy raste përdhunimi. Industria e trafikut të femrave dhe prostitucionit mendohet se gjeneron rreth 150 miliardë dollarë fitime në vit. Britania kaloi një ligj të ri në mars që ashpërson dënimet kundër trafikantëve. Shqetësimi i ngritur nga Ministria e Brendshme britanike është konstatuar edhe nga Departamenti amerikan i Shtetit, i cili i ka kërkuar qeverisë shqiptare “të hetojë dhe ndjekë penalisht në mënyrë energjike kundravajtjet e trafikimit dhe të dënojë dhe ndëshkojë autorët e kundravajtjeve të trafikimit; të sigurojë që viktimat të kenë akses tek ndihma, mbështetja dhe mbrojtja specifike për viktimat, përfshi shërbimet e riintegrimit, të tilla si trajnimi profesional dhe kujdes falas të shëndetit publik; të ofrojë financim për OJQ-¬të për strehat dhe shërbimet e ndihmës për viktimat, përfshi nëpërmjet Fondit të Posaçëm për Parandalimin e Krimeve; të zgjerojë njësitë e përbashkëta të lëvizshme që administrohen nga grupet e shoqërisë civile dhe agjencive ligjzbatuese për të rritur identifikimin e viktimave; të trajnojë prokurorë dhe gjykatës mbi amendamentet ligjore të fundit lidhur me trafikimin; të trajnojë personelin mjekësor të strehave që administrohen nga shteti mbi mbështetjen me viktimën në qendër; të trajnojë më tej policinë dhe zyrtarë në nivel vendor për të rritur numrin e viktimave të identifikuara dhe të ndihmuara; të vazhdojë të trajnojë inspektorët e punës dhe të tjerë zyrtarë mbi identifikimin e viktimave; të trajnojë zyrtarët në njësitë për mbrojtjen e fëmijëve për të rritur identifikimin e treguesve të trafikimit dhe për të referuar viktimat në shërbimet e përshtatshme”. Por megjithë këto kërkesa të parashtruara nga Departamenti i Shtetit në Shqipëri asgjë nuk ka ndryshuar, përkundrazi rrjetet e trafikut të prostitucionit janë aktivizuar edhe më shumë.

Raporti i DASH: Shqipëria, vend burim për trafikimin.
Departamenti i Shtetit të SHBA në raportin e fundit për Trafikimin e Personave e cilëson Shqipërinë si një vend burimi dhe destinacioni për burra, gra dhe fëmijë që i nënshtrohen trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe për punë të detyruar. Në raport thuhet se femra dhe fëmijë shqiptarë i nënshtrohen në radhë të parë trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual brenda Shqipërisë dhe në Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë, Belgjikë, Holandë, Gjermani, Zvicër, Irlandë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Grupe kriminale, thekson raporti, rekrutojnë me anë të mashtrimit femra me oferta për punësim si kameriere, banakiere, kërcimtare, apo këngëtare në vendet fqinje, specifikisht në Kosovë, Greqi dhe Maqedoni dhe i nënshtrojnë ato ndaj trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual. Një problem që raporti e cilëson në rritje, është ai i fëmijëve romë që i nënshtrohen lypjes së detyruar dhe formave të tjera të punës në Greqi, Kosovë dhe brenda Shqipërisë. Raporti vlerëson se qeveria e Shqipërisë nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, ajo është duke bërë përpjekje domethënëse për ta bërë këtë.

Në një vend ku nuk sundon shteti ligjor është larg BE.

“Një vend ku nuk sundon shteti ligjor e ka të largët rrugën drejt Bashkimit Europian”. Me këto fjalë, ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin bëri të qartë se pa përmbushjen e reformave nga ana e qeverisë shqiptare nuk ka hapje negociatash me Bashkimin Europian. Deklaratat ambasadorja e BE i bëri gjatë një ceremonie diplomimi ku u bëri thirrje të rinjve të mos ikin nga vendi i tyre. Vlahutin deklaroi se Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë për t’u anëtarësuar në BE. Investimi tek dija është çelësi që hap portën e unionit, tha ajo, duke apeluar për sundim të shtetit ligjor dhe luftë kundër korrupsionit. Një vend që nuk e bazon zhvillimin e tij tek dija, një vend ku nuk sundon shteti ligjor, e ka të largët rrugën drejt Bashkimit Europian. “Duhet të siguroheni që të ketë sundim efikas të ligjit, por edhe ndryshime të tjera strukturore në sisteme të tjera, si administrata publike, shërbimet publike, energjia, uji, mjedisi, që të gjitha këto të menaxhohen në mënyrën e duhur. Parakusht që të ndodhin këto ndryshime është vullneti i gjithë shoqërisë për të ndryshuar diçka në vend, por çelësi i këtij vullneti është dija, arsimimi”, tha Vlahutin. “Ato shtete që investojnë më shumë në kërkimin shkencor dhe te dija janë dhe vendet më të zhvilluara dhe kapitali njerëzor është kapitali më i çmuar në botën e sotme. Ajo që i nevojitet Shqipërisë në këtë moment nuk janë ndërtesat, më shumë makina apo më shumë rrugë, Shqipëria ka nevojë për njerëz, për njerëz me njohuri, për të ditur si të krijojnë më tej, si të menaxhojnë, si të qeverisin e si të shkëlqejnë. Shqipëria ka nevojë për ju!”, u shpreh ambasadorja e BE. Që prej janarit nga Shqipëria po largohen mijëra persona në kërkim të një të ardhmeje më të mirë në vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian. Në lidhje me këtë situatë dramatike, ambasadorja Vlahutin iu kërkon veçanërisht të rinjve, që dijet për të cilat diplomohen t’i vënë në dispozicion të zhvillimit të vendit. “Unë kam shumë besim tek e ardhmja juaj dhe ne si Bashkim Europian po bëjmë gjithçka është e mundur që të krijojmë mjedisin, në të cilin ju do të keni mundësinë të përdorni potencialet tuaja. Një mjedis për sundimin e duhur të ligjit, një mjedis ku nuk ka korrupsion, nuk ka presion politik, ku më i miri mund të përdorë talentet e veta për të mirën e të gjithëve. Por dhe ne kemi nevojë për ju, sepse pa ju, kjo gjë nuk do të kishte kuptim. Ju lutem përdorni të gjitha mundësitë që të udhëtoni e të mësoni më shumë, por ju lutem, kthehuni në Shqipëri dhe qëndroni këtu. Na ndihmoni që të sjellim standardet europiane që Shqipëria të jetë aty ku i takon të jetë, në familjen e demokracive europiane”, theksoi Vlahutin.

Lini një koment