Kategori
Uncategorized

Shqipëria në diktaturë

dokumenti i beKëshilli i Ministrave të BE ashpërson për herë të parë tonet ndaj Shqipërisë. Dje, ministrat e BE kanë miratuar konkluzionet për Shqipërinë, duke renditur kritika të forta për një sërë çështjesh që nuk janë përmendur asnjëherë në raportet e para.
Si asnjëherë më parë, Shqipëria paraqitet si një vend diktatorial ku të drejtat e njeriut nuk mbrohen dhe liria e shprehjes nuk është e garantuar. BE shprehet e alarmuar për cënimin e lirisë së shprehjes dhe të të drejtave të njeriut gjithashtu, si dy nga elementët thelbësor të demokracisë.
Në këto kushte, BE kërkon nga qeveria garanci urgjente për lirinë e të shprehurit, lirinë e medias si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Qeverisë i kërkohet në mënyrë “urgjente” që të adresojë problematikën e lirisë së të shprehurit dhe të garantojë pavarësinë e medias.
Nga ana tjetër, pas disa vitesh vlerësimesh pozitive për ekonominë shqiptare, e cilësuar si ndër të vetmet në Europë që pësoi rritje, kësaj here Këshilli i Ministrave të BE ndryshon tonet, duke shprehur shqetësime serioze mbi ecurinë ekonomike të vendit tonë. Nivel i lartë papunësie. Nivel i lartë i informalitetit në ekonomi. Mungesë e mbështetjes ndaj bizneseve dhe investitorëve. Sistem fiskal i rrezikuar. “Shqipëria duhet të vijojë reformat ekonomike me qëllim rritjen e konkurrencës, përmirësimin e mjedisit ndaj biznesit si dhe investitorëve të tuaj, të konsolidohet sistemi fiskal, të adresohet niveli i lartë i papunësisë si dhe niveli i lartë i informalitetit në ekonomi”, thuhet në konkluzionet e BE.
Të gjitha këto terma të errëta përshkruajnë shqetësimin e BE mbi ekonominë shqiptare.
Dialogu me opozitën cilësohet si komponent kyç në progresin e reformave të integrimit dhe hapjes së negociatave gjithashtu.
“Hapja e negociatave për Shqipërinë do të konsiderohet vetëm kur Komisioni Europian të  konsiderojë se vendi ka përmbushur kriteret e përcaktuara”. Kjo është kryefjala e konkluzioneve të Këshillit i Ministrave të Bashkimit Europian për Shqipërinë. Për Këshillin e Ministrave, Shqipëria nuk mund të bëjë progres në kriteret që duhet të përmbushë pa një dialog konstruktiv dhe të qëndrueshêm midis opozitës dhe mazhorancës. Ky dialog konsiderohet si vital për progresin e vendit drejt anëtarësimit në BE. Në konkluzionet e ministrave për Çështjet Europiane dhe Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së për Shqipërinë vihet theksi te kushtet që duhet të përmbushë Shqipëria.
“Pas akordimit të statusit të vendit kandidat, shumë sfida mbeten për t’u zgjidhur nga Shqipëria”, thuhet në konkluzionet e ministrave, duke ju referuar 5 kushteve e Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Për reformën administrative, Këshilli kërkon që qeveria shqiptare të rrisë profesionalizmin dhe depolitizimin në administratën publike.
Sipas Këshillit të Ministrave të BE-së, duhet rritur pavarësia, përgjegjshmëria dhe efikasiteti i sistemit të drejtësisë. “Reforma e drejtësisë duhet bërë në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Venecias”, thuhet në konkluzione. Së treti, Këshilli i Ministrave kërkon forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të  organizuar.  Duhen rritur hetimet proaktive dhe rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në konkluzione.

Të mbrohen urgjentisht liria e shprehjes dhe të drejtat e njeriut

Këshilli i bën thirrje Shqipërisë që në mënyrë urgjente të adresojë problemet në lidhje me lirinë e shprehjes dhe medias. Të garantohet një reformë gjithpërfshirëse në sistemin e drejtësisë, konsulta me Komisionin e Venecias

1.Këshilli mirëpret progresin që çoi Shqipërinë në marrjen e statusit kandidat.

2. Megjithatë, Këshilli vëren se sfida të rëndësishme shtrihen përpara. Gjithashtu, Këshilli thekson në të njëjtën linjë me konkluzionet e miratuara në 5 dhjetor 2011 se, hapja e negociatave do të merret në konsideratë nga Komisioni Europian në përputhje me praktikën e implementuar, sapo Komisioni të vlerësojë se Shqipëria ka përmbushur shkallën e nevojshme të kritereve të anëtarësimit. Në vijim të opinionit të Komisionit në vitin 2010, duke kujtuar kushtet e vendosura në konkluzionet e dhjetorit 2012 dhe qershorit 2014, Këshilli rithekson se Shqipërisë i nevojitet që të përmbushë të gjitha prioritetet kyçe për procesin e hapjes së negociatave.

3. Këshilli fton Shqipërinë që të intensifikojë hapat dhe të veprojë në mënyrë të vendosur për të adresuar prioritetet kyçe. Këshilli nënvizon në mënyrë të veçantë, domosdoshmërinë e Shqipërisë për të: vijuar reformën në administratën publike, duke patur si synim rritjen e profesionalitetit dhe depolizitimin e saj; të zhvillojë një reformë gjithpërfshirëse në sistemin e gjyqësorit dhe të përforcojë pavarësinë e tij, një reformë efiçente dhe të përgjegjshme në konsultim të afërt me Komisionin e Venecias, të intensifikojë hapat në luftën kundër korrupsionit dhe të ndërmarrë hapa vendimtarë në luftën kundër krimit të organizuar, duke përfshirë kultivimin dhe trafikun e drogës me qëllim krijimin e një rekordi hetimesh aktive, ndjekje penale dhe dënime për të dyja këto çështje. Të ndërmarrë masa efektive legjislative për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe antidiskriminimin gjithashtu, përfshirë këtu të drejtat dhe trajtimin e barabartë të të gjitha minoriteteve, duke iu ofruar atyre të drejtat që u takojnë ashtu si edhe të implementojë të drejtat e pronës.

4.Këshilli i bën thirrje Shqipërisë, që në mënyrë urgjente të adresojë problemet në lidhje me lirinë e shprehjes dhe medias, veçanërisht në forcimin e pavarësisë së Autoritetit Rregullator të Medias si dhe shërbimin publik të transmetimit. Këshilli bën thirrje gjithashtu autoriteteve, që të garatojnë zbatimin e ligjeve, reformave të ndërmarra.

5.Shqipëria duhet të vijojë reformat ekonomike me qëllim rritjen e konkurrencës, përmirësimin e mjedisit ndaj biznesit si dhe investitorëve të tuaj, të konsolidohet sistemi fiskal, të adresohet niveli i lartë i papunësisë si dhe niveli i lartë i informalitetit në ekonomi.

6. Këshilli nënvizon se një dialog konstruktiv dhe i qendrueshëm midis qeverisë dhe opozitës mbi reformat që lidhen me BE do të jetë vital për progresin drejt hapjes së negociatave. Është përgjegjësi e përbashkët e të dyjave, qeverisë dhe opozitës që të sigurojnë se debati bëhet kryesisht në Parlament dhe të kontribuojnë në krijimin e kushteve për funksionimin e tij.
Këshilli i bën thirrje Shqipërisë të ecë përpara në krijimin e një Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian, duke bashkuar të gjitha grupet e interesit, të cilët do të ndihmojnë për procesin e reformave.
Këshilli rifton edhe njëherë Komisionin Europian të intensifikojë mbështetjen, monitorimin  dhe asistencën ndaj Shqipërisë në procesin e reformave, në kontekstin e dialogut të nivelit të lartë mbi prioritetet kyçe përmes një bashkëveprimi me shtetet anëtare.

7. Këshilli mirëpret rolin konstruktiv dhe bashkëpunues të Shqipërisë në rajon si dhe marrëdhëniet e mira me vendet fqinjë, çka mbetet esenciale dhe ecën në të njëjtën linjë me politikat e jashtme dhe të sigurisë së BE.

Pa dialog me opozitën, nuk ka hapje negociatash

Dialogu konstruktiv dhe i qendrueshëm i qeverisë me opozitën do të jetë esencial në progresin e reformave drejt hapjes së negociatave. Në mënyrë të prerë, Këshilli i Ministrave të BE i ka bërë thirrje qeverisë që të garantojë dialog konstruktiv me opozitën dhe të garantojë kushtet për funksionimin normal të Parlamentit.
“Këshilli nënvizon se, një dialog konstruktiv dhe i qendrueshëm midis qeverisë dhe opozitës mbi reformat që lidhen me BE do të jetë vital për progresin drejt hapjes së negociatave. Është përgjegjësi e përbashkët e të dyjave, qeverisë dhe opozitës që të sigurojnë se debati bëhet kryesisht në Parlament dhe të kontribuojnë në krijimin e kushteve për funksionimin e tij.
Këshilli i bën thirrje Shqipërisë të ecë përpara në krijimin e një Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian, duke bashkuar të gjitha grupet e interesit, të cilët do të ndihmojnë për procesin e reformave.
Këshilli rifton edhe njëherë Komisionin Europian të intensifikojë mbështetjen, monitorimin dhe asistencën ndaj Shqipërisë në procesin e reformave, në kontekstin e dialogut të nivelit të lartë mbi prioritetet kyçe përmes një bashkëveprimi me shtetet anëtare”, thuhet në konkluzionet e Këshillit të Ministrave të BE.

Lini një koment