Kategori
Uncategorized

Mbi filmin “Rilindja e PD-së dhe e Shqipërisë fillon me vdekjen e Berishës”

Analisti / Fatos Lubonja .

Mbi filmin “Rilindja e PD-së dhe e Shqipërisë fillon me vdekjen e Berishës”

Në artikullin “Të luftosh Berishën për të fuqizuar berishizmin” kam shkruar se :

🔺Qëndrimi i Lulzim Bashës dhe i shumëve që e mbështesin lidhur me përjashtimin e Berishës nga Grupi Parlamentar.

🔺Është një hipokrizi e katërfishtë ndaj Berishës, amerikanëve, shqiptarëve dhe vetvetes.

🔺Në funksion të kësaj loje të traditës kulturore shqiptare, ku hipokrizitë dhe gënjeshtrat janë të ndërsjella.

🔺Është ngritur me kohë një makineri e madhe manipulimi që punon për të na bërë të jetojmë me hir dhe pahir ngjashëm me mënyrën e jetës në “gënjeshtrën e madhe” që na detyroi të jetonim propaganda komuniste.

Kësaj here filmi i prodhuar nga “Kinostudio Shqipëria e Re Kapitaliste” është ai me temë: “Rilindja e PD-së dhe e Shqipërisë fillon me vdekjen e Berishës”. Po jap vetëm disa argumente pse flas për gënjeshtër e hipokrizi:

🔺– Sepse momenti i kulmit të mbështetjes amerikane ndaj qeverisë, nëpërmjet goditjes së opozitës, po kërkohet t’u shitet shqiptarëve shpresëhumbur si moment i shpresëgjetjes te një opozitë pa Berishën që do të fituaka kësisoj mbështetjen e Amerikës në luftën e vërtetë ndaj korrupsionit të Ramës. Thënë ndryshe, sepse politikën e Ramës “përça dhe sundo opozitën me ndihmë amerikane” për të fuqizuar sundimin (bashkë me këtë edhe krimin e korrupsionin) po kërkojnë të na e shesin si politikë amerikane që synon aleancën me opozitën “e pastruar” në luftë të përbashkët kundër korrupsionit të Ramës.

🔺– Sepse, ndonëse edhe më naivi e kupton se përçarja e ka dobësuar dhe do të vazhdojë ta dobësojë opozitën, kërkojnë të na mbushin mendjen se dobësimi do të jetë i përkohshëm me argumentin se ishte e domosdoshme që PD t’i nënshtrohej operacionit të heqjes së një tumori malinj dhe se, pasi të bëjë kimioterapinë dhe radioterapinë Rama-Kim-SPAK, më në fund ajo do të rilindë.

🔺– Sepse bëjnë sikur nuk e shikojnë se kjo “kurë” jo vetëm do ta lektisë, por mund ta vdesë fare PD-në (veçanërisht kur sheh se disa ngulmojnë se pas metastazës “Berisha” duhet të hiqet edhe metastaza “Basha”); pra, sikur ta kenë harruar atë që deklaronin deri dje se përballë opozitës është një kundërshtar që ka kohë që kërkon ta “kurojë” kësisoj jo vetëm çdo opozitë të vërtetë, por edhe çdo zë kundër dhe që i ka tashmë në dorë thuajse të gjitha mjetet kirurgjikale për ta realizuar qëllimin e tij.

🔺– Sepse predikojnë se largimi i Berishës së keq do t’i heqë Edi Ramës alibinë e të qenët e keqja më e vogël që e mban në pushtet, ndërkohë që po të dëgjoje se çfarë thoshin kur hynë në çadër apo kur lanë mandatet shkakun e qëndrimit të Ramës në pushtet e lidhnin me të qenët e tij super më e madhe në krye të sistemit të grabitjes së votës nëpërmjet oligarkisë e krimit të organizuar çka, gjithë sipas tyre deri dje, e provoi edhe masakra e fundit zgjedhore.

🔺– Sepse bëjnë sikur besojnë se pa Amerikën nuk fitohen zgjedhjet, megjithëse e dinë se historia e këtyre 30 vjetëve ka treguar të kundërtën dhe sikur nuk e shohin se reagimi i shumicës së shqiptarëve në këtë rast, jo vetëm brenda PD-së, tregon se ata nuk janë aq budallenj sa ç’kërkojnë t’i bëjnë, gjë që e kanë treguar edhe në rastin e tentativës amerikane për të sjellë armët kimike siriane.

🔺– Sepse manipulojnë me përdorimin e fjalës “fitore” që do të ardhka pas katër vjetësh në sajë të moderacionit dhe urtësinë parlamentare të këshilluar apo diktuar nga amerikanët, duke i cilësuar protestat, veprimet e forta që kanë organizuar deri dje mbi fjalën “fitore”, si gabime të diktuara nga Berisha. Me fjalë të tjera, kastrimin që po u bën Rama sot me bisturi amerikane si vazhdimësi e atij që u ka bërë më herët me oligarkët e kapur prej tij – duke u ulur besimin e popullit të Astirit, të Kukësit etj., e për pasojë mbështetjen e fuqishme popullore në protesta si i vetmi mjet i vërtetë për të rrëzuar këtë regjim – po duan të na e shesin si rritje të potencës dhe të fertilitetit.

🔺– Sepse bëjnë sikur nuk shohin e dëgjojnë se argumentet pro Basha mbështeten nga të gjithë ramistët që deri dje e kanë akuzuar Bashën si njeri “të paaftë”, që “fle gjumë”, “i korruptuar”, “humbës i lindur” etj., etj. Thënë ndryshe, bëjnë sikur nuk e kuptojnë se skenari i filmit “Rilindja e PD-së dhe e Shqipërisë fillon me vdekjen e Berishës” i ka zyrat te rilindja e PS-së.

* * *

🔺Ironia e historisë është se për ta bërë më “të vërtetë” gënjeshtrën e këtij filmi po kontribuojnë edhe ambasadorët euro-amerikanë, njëlloj siç kontribuonin për “gënjeshtrën e madhe” të regjimit komunist ambasadorët sovjeto-kinezë.

🔺Fakti është që skenari i këtij filmi ka filluar të ideohet e shkruhet që kur, paradoksalisht, dyshja ambasadoriale LuVllahutin i kërkonte prokurorit Llalla të arrestonte Berishën dhe Metën, me idenë se kjo mund të shitej si sukses i madh i Shqipërisë që do ta fuste atë në Europë –

🔺Nderkohe që këta ambasadorë mbyllnin sytë ndaj shifrave të rritjes së korrupsionin që jepte “Transparency International” gjatë qeverisjes Rama, ndaj rritjes dramatike të azilkërkuesve në vendet e BE-së dhe kur fushat me kanabis që po kaplonin Shqipërinë u dukeshin si fusha me grurë.

E di që në këtë pikë do të më vërsulen me pyetjen:

Meqenëse i kam dhënë shpesh disa nga argumentet e kësaj mbrojtjeje, po u përgjigjem me një pyetje:

Gjithsesi, përtej interesave të SHBA-së dhe BE-së, gjykoj se interesi kryesor i shfaqjes së këtij filmi është i brendshëm dhe përgjegjësia është jona.

🔺Ai kërkon t’i zgjasë jetën këtij regjimi nëpërmjet mbulimit kriminal të faktit se “tumori” që kërkojnë t’i heqin opozitës për ta “shëruar” është vetëm një metastazë sekondare në trupin e Shqipërisë;

🔺Se ky tumor e ka qendrën e tij gjeneruese në sistemin që komandon partia në pushtet, nëpërmjet së cilës ai ka kapluar shtetin, ekonominë, krejt shoqërinë dhe se ai nuk kurohet me operacione fasadë kirurgësh amerikanë, por nëpërmjet kurash të tjera të cilat njerëzit e PD-së nuk janë në gjendje as t’i gjejnë, as t’i aplikojnë, pasi janë brenda tumorit edhe vetë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s