Kategori
Uncategorized

“Daily Mirror”: Rama sponsorizon kalifatin e së keqes me paratë e drogës.

“Daily Mirror”: Rama sponsorizon kalifatin e së keqes me paratë e drogës

Arben SHAHINI

Lajmi i publikuar të dielën në prestigjiozen britanike “Daily Mirror” se miliarda euro të parave të drogës në Shqipëri po kalojnë nga duart e mafias lokale nën kontrollin e terroristëve të ISIS është tepër tronditës. Nga ana tjetër, mediat italiane konfirmojnë se ISIS po rekruton gjerësisht të rinj shqiptarë të papunë dhe të varfër. Të dyja këto media që i publikuan artikujt e tyre në fundjavë i referohen agjencive të fshehta të zbulimit të vendeve të tyre dhe nuk mund të injorohen. Cili është burimi i këtyre informacioneve dhe sa të vërteta janë ato, këto janë një temë po aq e rëndësishme përderisa këto media thonë se i referohen shërbimeve sekrete të vendeve të tyre. Nga ana tjetër gjithmonë dhe më shumë Rama po i jep terren këtij alarmi të mediave të vendeve partnere përmes inkurajimit që i ka bërë dhe i bën krimit duke e ngjitur atë në majën e hierarkisë shtetërore.
Pikënisja e këtyre shkrimeve është pikërisht krimi i organizuar në Shqipëri dhe fuqizimi i tij gjatë këtyre dy viteve kur në krye të qeverisë është Rama. Pyetja që shtrohet është se ku shkojnë paratë e këtyre trafikantëve të drogës dhe armëve?
Pista që po gjen gjithnjë dhe më shumë terren është se ato po i shiten blerësve më të uritur që janë terroristët. Droga shitet tek ata, po ashtu edhe armët, për të cilat ka dokumenta të tjerë shumë më sensitivë provojnë lidhje të tilla.
Nuk mund të jetë ndryshe. Në çdo manual të çështjeve të sigurisë është e njohur marrëdhënia e ngushtë që ekziston mes krimit të organizuar dhe terrorizmit. Prej kohësh ka patur shqetësime të ligjshme se Shqipëria do të përfshihej në këtë skemë bashkëpunimi apo konvertimi, pasi dy vitet e fundit vendi ka rënë de facto nën thundrën e krimit të organizuar. Qeveria, Parlamenti, institucionet dhe deri Policia e Shtetit janë të mbushur me anëtarë bandash kriminale, vrasës dhe trafikantë. Shqipëria është bazë e prodhimit të marijuanës dhe trafikimit të saj në Europë, së bashku me heroinën dhe kokainën, vlera e të cilave shkon në disa miliarda euro në vit.
Ministri i Brendshëm me njerëzit e tij të afërt dhe deri edhe me makinën dhe skafin e tij personal janë zbuluar se janë vënë në shërbim të trafikut të drogave. Në malet e Shqipërisë bleron droga si kurrë më parë dhe rojtarë të plantacioneve të drogës janë gjetur të jenë anëtarë të Policisë Shtetit. Emërimet e shefave të policisë në kufi dhe në zonat e kultivimit të drogës bëhen prej klaneve kriminale dhe çdo gjë është e kontrolluar prej tyre. Policia në shumë qytete nuk i lufton më trafikantët, pasi ata janë shndërruar në klientë të bandave. E vetmja luftë që ndodh është ajo që bëhet mes klaneve kriminale, kur vetëm në javën e parë të këtij viti u njoftuan dhjetë të vrarë për pazaret e drogës.
Truri i këtij operacioni të shndërrimit të Shqipërisë në një vend të kontrolluar nga krimi që sponsorizon terrorizmin është vetë Kryeministri Edi Rama. Jo thjesht se mbushi qeverinë, Parlamentin dhe institucionet me drogaxhinj, vrasës dhe trafikantë, por aty ku ka vënë njerëzit e tij lulëzon droga, trafiku dhe krimi. Vetëm në malësinë e Krujës, ku drejtimin e bashkisë ia dha një trafikanti të dënuar si Artur Bushi, vlerësohet që janë mbjellë 1 milion rrënjë kanabis, vlera e të cilës në treg shkon në 1.2 miliard euro.
Krimi dhe trafiqet nuk mund të fshihen për një kohë të gjatë. Rama me ministrin e tij kontrollon plantacionet e drogave në Shqipëri, qarkullimin e drogave nëpër territorin shqiptar, vendos çmimet e shitjes dhe të transportit, bën ankandet dhe hap portet, aerodromet ushtarake dhe kufijtë për trafikantët, ndan përqindjet me trafikantët shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Këtë gjë e dinë fshatarët e Krujës, të Tepelenës dhe Lushnjës, e dinë policët në mbarë vendin, e dinë doganierët në porte dhe kufij, e di çdo shqiptar që sheh banditët e lidhur me qeverinë të bëjnë ligjin, vrasjet dhe krimet më monstruoze dhe nuk iu hyn gjemb në këmbë. E dinë italianët që kanë kapur skafet, anijet dhe avionët e drogës, e dinë grekët që kanë kamionët dhe deri mushkat me drogë, e dinë britanikët, francezët, gjermanët dhe belgët që kanë kapur trafikantët shqiptarë.
Rama është aq i pangopur nga droga, sa kujton se mund të fshehë tonelatat e drogës që vërshojnë në Itali, Francë, Britani të Madhe, Gjermani, njësoj sikurse fshehu dhe transferoi në parajsat fiskale milionat e tij të fituara me krim dhe korrupsion. Nëse ai është Kryeministër dhe shqyen doganat, postblloqet dhe e vë shtetin nën shërbimin e mafias, kjo gjë nuk mund të ndodhë në Perëndim.
Aleatët tanë në NATO janë të alarmuar për këtë përshkallëzim dramatik të kapjes së shtetit shqiptar nga krimi dhe bashkëpunimi i këtij të fundit me terroristët. Rama mund të japë garanci se bushërit e tij janë thjesht kriminelë dhe nuk janë terroristë, por do të ishte njësoj si “garancitë” që i dha ambasadorëve në Tiranë se kryetari i Bashkisë së Krujës nuk është një trafikant i dënuar.
Rama ka treguar se është i shqetësuar vetëm për fitimet dhe pjesën e tij nga çdo ndërmarrje kriminale dhe korruptive në vend. Nëse nuk do të ishte kështu, nuk do të ishte Tirana sot kryeqyteti më i betonizuar i Europës; nuk do të kishim këtë harbim qeveritar me koncesione, që një ditë do të na e japin edhe ajrin që thithim për të bërë ca para; nuk do të kishim kompani shqiptare, turke, kineze dhe ruse anonime apo të listuara si të dyshimta dhe të padëshirueshme në Perëndim, që vijnë e marrin serbes-serbes pasuritë më të vyera të shqiptarëve; nuk do të kishim vrasës dhe trafikantë para, mbrapa dhe anash Kryeministrit kur ai ulet në qeveri, Parlament dhe në çdo institucion që ka nën qeverisje.
Beteja e opozitës për dekriminalizimin, për reformimin e sistemit të drejtësisë sipas një modeli perëndimor, kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar, tashmë mbart edhe një mision tjetër: t’i heqë terrorizmit çdo mundësi për të përdorur më tej Shqipërinë për të vrarë shqiptarët, arabët, sirianët, francezët, britanikët, amerikanët, gjermanët dhe të gjithë njerëzit e lirë në këtë botë që janë kundër krimit dhe ekstremizmit. Krimi shqiptar ka bërë pakt me terrorizmin dhe askush nuk është i sigurtë sa kohë Rama merr fitimet e kësaj aleance. Ndaj largimi me çdo mjet dhe sa më parë i Ramës, qeverisë dhe mazhorancës që ai kontrollon është detyrim kombëtar.

Armët e drogës nga Shqipëria për Terroristët

Mediat britanike kanë raportuar se Shteti Islamik, ISIS, po kultivon plantacione me kanabis në zonat malore të Shqipërisë dhe ka hyrë në rrjetin fitimprurës të trafikut të drogës, me qendër prodhimi Shqipërinë dhe me Britaninë e Madhe si zonë shpërndarjeje. “Daily Mirror” ka dhënë alarmin referuar të dhënave të shërbimeve sekrete dhe intervistave të realizuara nga gazetarët në terren, në Shqipëri.
E përditshmja “Daily Mirror” shkruan se, xhihadistët po e mbushin Britaninë me kanabisin shqiptar, shpërndarja e të cilit kryhet po nga bandat shqiptare. Shteti Islamik po shton paratë nga fushata e terrorit, duke drejtuar plantacionet e kanabisit në Shqipëri dhe duke e dërguar drogën drejt Britanisë së Madhe.
“Kalifati i të keqes” ka marrë nën kontroll rrjetin e 4 miliardë stërlinave nga trafiku i marijuanës, nga shtimi i operacioneve të mafias, në zonat e thella malore të Shqipërisë, thuhet në shkrimin e “Daily Mirror”. Gazeta britanike thekson se, avionët dhe anijet private ata që marrin 4 miliardë stërlina lëndë narkotike në vit dhe ua dërgojnë bosëve të mafias në Itali, të cilët e shpërndajnë.
Sipas “Daily Mirror”, ISIS hyri në tregun fitimprurës të drogës, pasi autoritetet i hapën rrugën drejt Lazaratit apo kryeqendrës së mafias shqiptare, siç e quan ajo. “Në vend që t’i jepej fund, operacioni i vitit 2014 u hapi rrugën ekstremistëve për ta marrë nën kontroll. Dhe tani ata rekrutojnë në zonë, shpesh nga vetë mafia”, thuhet në shkrim.
Gazeta raporton se “Sunday People”, një tjetër media e grupit të “Mirror”, intervistoi disa banorë të Lazaratit, të cilët thanë se jeta u ishte bërë ferr nga banditët ekstremistë, që rekrutonin meshkujt në fshat.
Të dhënat e saj flasin për një kamp stërvitor të militantëve të ISIS që fshihet në malet afër Lazaratit. Theksohet se disa rekrutë shqiptarë xhihadistë janë dërguar në Siri për t’u stërvitur si terroristë. Një burim i qeverisë shqiptare i tha gazetës se, “Me kaq shumë para, nuk është habi që ISIS-i të kërkojë kontrollin e biznesit të drogës”.
Autoritetet britanike janë të shqetësuar jo vetëm si pjesë e luftës kundër ISIS, por edhe për faktin se e shohin shitjen e kanabisit shqiptar në Angli, si financim të drejtpërdrejtë të terrorizmit.

Lini një koment