Kategori
Uncategorized

Nato e ndau Kosoven per te penguar lidhjen me Sanxhakun.

Kastriot Myftaraj

Ndonëse NATO e çliroi Kosovën, skajin verilindor të saj e ndau nga pjesa tjetër e Kosovës dhe e la nën kontrollin e serbëve, jashtë autoritetit të Prishtinës. Arsyeja për këtë kuptohet nëse shikoni hartën se ku kalon vija e ndarjes në Veri të Kosovës. Fakti është se harta flet qartë se ndarja u bë në një mënyrë të tillë që të krijohej një buffer zone (një zonë tampon quhet ndryshe) midis Kosovës dhe Sanxhakut. Zona e ndarë e Kosovës Veriore përfshin krejt kufirin e Kosovës me Serbinë në zonën e Sanxhakut, në Serbinë Jugperëndimore, një zonë me popullsi kryesisht muslimane boshnjake.
Zona e ndarë e Kosovës Veriore nuk përfshin vetëm një rrip të ngushtë toke në skajin më veriperëndimor të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, në zonën e Sanxhakut. Por ky rrip është një zonë malore me lartësi të madhe dhe pa rrugëkalimi në Bjeshkët e Podgurit të Pejës, në zonën ku takohet kufiri mes Kosovës, Serbisë dhe Malit të Zi.
Me ndarjen e Kosovës u prish kohezioni gjeografik mes trojeve me popullsi muslimane në Ballkan, duke u penguar kështu çdo projekt për ndërtimin e një shteti islamik që të përfshijë brenda kufijve të tij trojet me popullsi muslimane në Ballkanin Perëndimor, nga Shqipëria në Kosovë, Sanxhak e deri në Bosnjë, duke përfshirë edhe trojet shqiptare në Maqedoni dhe Luginën e Preshevës. Kjo buffer zone që është Kosova Veriore, ose më saktë veriperëndimore, u gjend si zgjidhje momentale nga NATO, dhe nësër mund të zgjerohet, varësisht zhvillimeve dhe rritjes së rrezikut për një aksion për krijimin e një shteti islamik në Ballkanin Perëndimor.
Duke pasur parasysh këtë shqetësim të qartë të NATO-s, domethënë të Perëndimit, duhet shmangur çdo lidhje mes projektit të Shqipërisë Etnike dhe Sanxhakut. Ismail Qemali dhe Isa Boletini, kur shkuan në Londër në 1913 për të paraqitur në emër të Shqipërisë kërkesat për kufijtë e shtetit të ri shqiptar, diçka dinin që nuk e përfshinë Sanxhakun brenda kufijve të Shqipërisë në hartën që i dorëzuan kësaj konference të fuqive të mëdha që ishte mbledhur për të të përcaktuar kufijtë.
Në vitet 90 të shekullit të kaluar, në Tiranë u shfaqën disa shqiptarë të Kosovës të cilët qarkullonin në shtypin e Tiranës idenë se shteti shqiptar duhet ta shikonte çështjen e Sanxhakut si pjesë të çështjes shqiptare, pra njëjtë me çështjen e Kosovës. Shembulli më i spikatur është Nexhmedin Spahiu i cili në 28 nëntor 1993 botoi në gazetën “Republika” të Tiranës artikullin me titull “Sanxhaku- Çështje me të cilën duhet të merret diplomacia shqiptare”. Gjithashtu, Nexhmedin Spahiu, në 11 dhjetor 1995 botoi në gazetën “Koha Jonë” të Tiranës, atëherë më e madhja në Shqipëri, artikullin me titull “Sanxhaku-dështim i diplomacisë shqiptare”. Në 22 qershor 1995 ky artikull u ribotua në “Flaka” të Shkupit. Në këto shkrime Spahiu i kërkonte shtetit shqiptar që të angazhohej për Sanxhakun ashtu si për Kosovën. Spahiu, i ardhur në Tiranë nga Kosova pas vitit 1990, banonte bashkë me gruan në një hotel luksoz të ndërtuar nga një kompani arabe në periferi të Tiranës, ku kostoja e bujtjes shkonte në mijëra dollarë në muaj.
Nuk ka dyshim se për shtetin shqiptar do të kishte qenë një aventurë vetëvrasëse gjeopolitike që të angazhohej për Sanxhakun boshnjak islamik. Kjo do të thoshte që Shqipëria të dilte si qendra e një projekti shtetëror islamik ballkanas. NATO nuk do ta kishte bombarduar Serbinë në 1999 nëse shqiptarët e Kosovës do të shprehnin aspirata edhe për Sanxhakun.
Operacioni i shërbimeve inteligjente serbe me dronin me banner në ndeshjen Serbi-Shqipëri kishte si një nga qëllimet e tij që të shkaktonte një entusiazëm kolektiv ndër shqiptarët e krejt trojeve shqiptare për një simbol që e identifikonte aspiratën e Shqipërisë Etnike me projektin e shtetit islamik ballkanas.
Meqënëse serbët e dinin droni i Beogradit do të ishte lajm botëror ishin përzgjedhur simbole që të bënin efekt si të opinioni i gjerë global, ashtu dhe zyrat e specializuara për analiza. Për auditorin e gjerë global ishte përzgjedhur simbolika e bannerit me sfond të zi, identik me flamurin e zi të ISIS, shtetit islamik në Lindjen e Mesme, që ishte bërë tashmë i njohur botërisht. Për zyrat e specializuara ishte përzgjedhur harta e Shqipërisë Etnike që përfshinte Sanxhakun. Me qëllim që të kompromentohej aspirata për Shqipërinë Etnike në dy anët e hartës qenë vendosur portretet e dy etërve themelues të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, me datën e shpalljes së Pavrësisë, 28 nëntor 1912, mbi hartë. Me këtë kërkohej të krijohej përshtypja se kjo hartë tregonte kërkesat për kufijtë e Shqipërisë të këtyre etërve të Pavarësisë së Shqipërisë. Kur kjo gjë nuk ishte e vërtetë, siç kam thë në më lart. Fjala AUTOCHTHONOUS e shkruar në banner ishte një “gjethe fiku” e mjerueshme për të mbuluar lakuriqësinë islamike të simbolikës së bannerit.
Sigurisht që Serbia nuk do të artikulonte akuza ndaj shqiptarëve në termat e mësipërme, pastaj kështu shqiptarët do të kthjelloheshin dhe nuk do të shprehnin entusiazëm për bannerin. Serbia i thotë këto gjëra në zyrat e specializuara ndërkombëtare.
Operacioni special serb ende nuk ka përfunduar, dhe këtë e tregon edhe fakti se Morinaj dje ka publikuar një video ku ai shfaqet në Mitrovicën Veriore, të kontrolluar nga serbët, duke udhëtuar në një automjet, me tre persona të tjerë. Morinaj nuk e publikoi rastësisht këtë video disa ditë pasi unë kam bërë kallzimin penal për të në Prokurorinë e Tiranës dhe disa ditë pas ftesës sime publike për të për debat publik mbi mënyrën sesi mundi ta ngrejë dronin në Beograd, debat i cili duhej të bëhej këtë të premte në emisionin “Zonë e Lirë” të Arian Çanit, që ka shprehur disponim për këtë gjë, nëse Morinaj do të pranonte.
Morinaj nuk do të guxonte të hynte në Mitrovicën Veriore nëse Serbia do të kishte nxjerrë një urdhër arrestimi ndërkombëtar për të, dhe ky urdhër nuk ekziston, çka është lehtësisht e vërtetueshme. Nëse Morinaj e quan publikimin e videos në Mitrovicën Veriore si përgjigje për pyetjet që i bëhen mbi mënyrën se si e ngriti dronin në Beograd, kjo është një përrallë e një agjenti serb. Se kështu del që Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Kamer Sejdia (Loshi) e shumë heronj të tjerë të Kosovës që kanë luftuar kundër serbëve, paskan qenë heronj të rremë, se nuk paskan pasur as një fije nga zotësia dhe trimëria e Ismail Morinajt, i cili dje hyn në Beograd e e ngre dronin në mes të mijëra policëve e xhandarëve serbë, sot shkon në Mitrovicën Veriore.
Në të vërtetë vajtja e Morinajt në Mitrovicën veriore është një operacion serb për t’ i treguar botës shqiptarët e kërkojnë pjesën veriore të Kosovës për të siguruar lidhjen me Sanxhakun e hartës së dronit. Sigurisht që Serbia nuk i thotë këto gjëra publikisht, se ndryshe rrëzohet kulti i Morinajt. Serbia i thotë këto gjëra në zyrat e specializuara ndërkombëtare.
Qeveria e Shqipërisë ka detyrim që të ndërmarrë një fushatë publiciteti zyrtare në media për të ndërgjegjësuar shqiptarët për simbolikën reale të bannerit të dronit. Këtë e them edhe për faktin se u bënë gabime si ai i Kryeministrit Rama që e projektoi bannerin e dronit në fasadën e ndërtesës së Kryeministrisë, apo i ish-Kryeminsitrit Berisha që e ka ekspozuar bannerin e dronit në zyrën e tij. Kështu bota do të shohë se Shqipëria dhe shqiptarët në përgjithësi, nuk kanë të bëjnë me projekte shtetërore islamike në Ballkan. Institucionet e shtetit shqiptar, qw nga Prokuroria e Pwrgjithshme dhe deri te shwrbimet inteligjente, e posacwrisht Kundërzbulimi, kanë detyrimin të angazhohen seriozisht për hetimin e ngritjes së dronit me banner në Beograd, gjë për të cilën do të kenë bashkëpunimin tim absolute, të pakushtëzuar përveçse me gjëra që i interesojnë Serbisë dhe jo hetimit të çështjes./Kastriot Myftaraj

Lini një koment